Evropa

''Derisa coronavirusi të na ndajë'', të sapomartuarit që nuk takohen prej muajsh

Përditësimi i fundit: 30/06/2020 - 11:14
Text size Aa Aa

Adrien Deslande ka tre muaj që komunikon me gruan e tij, Güncel, vetëm nëpërmjet Skype.

Çifti u martua në janar, por ajo po qëndron tashmë e bllokuar në Turqi, për shkak të pandemisë dhe ndalimit të udhëtimeve. Ndërsa Adrieni, një udhërrëfyes turistik 33-vjeçar nga Brukseli, s’ka marrë ende konfirmim nëse gruaja e tij mund të udhëtojë.

Kur u vendosën kufizimet, 29-vjeçarja Guncel ndodhej në Turqi, duke pritur për leje-qëndrimi belge.

Adrien thotë se lajmet ishin ose shumë të mira, ose shumë të këqija.  

“Flet me dikë që të jep shpresa pozitive. Pastaj merr e-mail ose flet me të tjerë që të thonë se nuk është e mundur, e kështu me radhë. Edhe sa do të zgjasë? Nuk dihet ende. Ka qenë e vështirë”, thotë ai.

Ministria belge e shëndetësisë ka që në mars që nuk i lejon familjarët të takohen me të afërmit e tyre belgë.

Këto vendime bien ndesh edhe me rekomandimet e Komisionit Europian, gjë që e bën të qenit larg edhe më stresuese.

“Duket sikur martesa jonë nuk është e vërtetë”, thotë ai. “Qoftë nga ana ligjore, sepse askush nuk duket se e merr parasysh faktin që jemi të martuar, por edhe nga ana praktike, sepse nuk jemi bashkë”.

Guncel thotë se duke mos qenë nënshtetase europiane, ajo nuk ka asnjë lloj të drejte.

“E kam të vështirë të shkoj në Belgjikë ose në ndonjë vend tjetër të BE-së, edhe për të marrë viza. Kujtonim se martesa do t’i lehtësonte gjërat, por nuk ndodhi”, thotë ajo.

BE pritet të hapë kufijtë më 1 korrik, por pasiguria shton edhe më shumë stresin dhe zemërimin e njerëzve që nuk arrijnë të lidhen dot me familjarët.

Ministri i Brendshëm belg tha për Euronews se çështja e udhëtimit duhet të zgjidhet në nivelet e BE-së, para se të mund të bëjnë ndonjë gjë për Dreslanden.