Evropa

Përulet mbreti belg, pasardhësi i Leopoldit II, keqardhje për krimet në Kongo

Përditësimi i fundit: 30/06/2020 - 15:27
Text size Aa Aa

Mbreti i Belgjikës i ka shprehur “keqardhjen më të thellë” presidentit të Republikës Demokratike të Kongos për “vuajtjet dhe poshtërimin” që vendi i tij shkaktoi kur kolonizoi rajonin, por nuk ka kërkuar falje për mizoritë e paraardhësit të tij, Leopoldi II.

Në 60-vjetorin e pavarësisë së RDK-së, mbreti Philippe i Belgjikës i shkroi një letër presidentit kongolez Félix Antoine Tshisekedi Tshilombo, në të cilën ai ka pranuar se për të përforcuar lidhjet dhe miqësinë, palët duhet të flasin për historinë e përbashkët duke prekur të vërtetën.

Philippe është pasardhës i Leopoldit II, që zotëroi atë që dikur njihej si Shteti i Lirë i Kongos, mes viteve 1885-1908, kohë kur sundoi me brutalitet dhe duke shfrytëzuar njerëzit.

Historianët vlerësojnë se nën regjimin e Leopoldit, 10 milionë njerëz humbën jetën.

“Historia jonë përbëhet nga arritjet dypalëshe, por ka kaluar edhe episode të dhimbshme. Në kohën e Shtetit të Lirë të Kongos u kryen një seri aktesh dhune e mizorie, që ende rëndojnë në kujtesën tonë kolektive”, shkroi mbreti i Belgjikës.