Evropa

Presidenca gjermane e BE-së, cilat do të jenë detyrat e Merkel

Përditësimi i fundit: 30/06/2020 - 14:34
Text size Aa Aa

Ajo është liderja më jetëgjatë në Bashkimin Evropian, ka bashkëpunuar me 4 presidentë francezë dhe disa kryeministra të Italisë. Tani, në perëndim të karrierës së saj, Angela Merkel merr në dorë për herë të dytë presidencën e BE-së.

Për herë të parë, në 2007-n, ajo luajti një rol kyç në negociatat për Traktatin e Lisbonës, baza kushtetuese e Unionit. Këtë herë, asaj i duhet të shmangë një rrënim ekonomik, si pasojë e pandemisë shkatërruese. Kostoja e kësaj beteje është e lartë.

“Ne jemi në dijeni të faktit se ka pritshmëri të mëdha nga presidenca gjermane. Ne duam t’i përmbushim këto pritshmëri duke u përpjekur të dalim nga kriza të padëmtuar dhe që Evropa të jetë gati për të ardhmen. Vetëm së bashku mund të kemi sukses në përjetimin e vlerave evropiane dhe mbrojtjen e tyre nga të tjerët; demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, u shpreh Merkel pak ditë më parë.

Deri tani ekonomia evropiane është rihapur, edhe pse në mënyrë të moderuar. Shumë sektorë kanë nevojë për mbështetje shtetërore, por sërish BE po lufton për një paketë të përbashkët rimëkëmbjeje. Teksa virusi është bërë sërish i gjallë, analistët besonë se Merkel është e vetmja në gjendje të gjejë një kompromis.

“Eksperienca e saj, njohuritë e saj me liderët evropianë, mirëkuptimi psikologjik i saj për atë që ata kërkojnë dhe ndjeshmëria e saj, sidomos për vendet e vogla në Evropën lindore, janë kushte paraprake për të qenë në gjendje të ndërmjetësojë një konsensus për menaxhimin e pandemisë, krizës historike ekonomike dhe asaj institucionale, që është si në nivel vendesh ashtu edhe në nivel evropian”, thotë Constanze Stelzenmüller, nga Instituti Brookings.

Pavarësisht ndjeshmërisë së Merkel për vendet e vogla të BE-së, partneri i saj i preferuar ka qenë Franca. Pak javë më parë, kancelarja dhe presidenti Emmanuel Macron prezantuarn një plan të përbashkët për rimëkëmbjen e Evropës, me vlerë 500 miliardë euro. Një përpjekje dypalëshe që nuk habiti askënd.

“Pa marrë shumicën e kapitalit në bord, asgjë nuk mund të arrihet. Unë ende nuk besoj se Franca dhe Gjermania të vetëm mund të ofrojnë lidershipin e duhur për BE-në, por nga ana tjetër pa Parisin dhe Berlinin nuk mund të materializohet asgjë”, deklaron Reinhard Bütikofer, eurodeputet gjerman nga të Gjelbërit.

Në prag të Presidencës Gjermane, Merkel ftoi Macron në shtëpinë e mysafirëve të qeverisë në veri të Berlinit. Të dy u panë duke hartuar strategji. Sikurse tha dhe Merkel më pas, “Gjermania dhe Franca do të luajnë një rol të përbashkët muajt e ardhshëm”.