Evropa

BE, diskutime për blerjen e 300 milionë vaksinave anticovid për banorët e vendeve anëtare

Përditësimi i fundit: 31/07/2020 - 18:37
Text size Aa Aa

Komisioni Europian ka mbyllur bisedimet shpjeguese me një kompani farmaceutike, në lidhje me blerjen e mundshme të një vaksine kundër COVID-19.

Kontrata e parashikuar me kompaninë “Sanofi” do t’u ofronte vendeve anëtare mundësinë për të blerë vaksinën.

Pasi të jetë vërtetuar që vaksina është e sigurt dhe e saktë kundër COVID-19, komisionit do t’i duhet të ketë gati një strukturë kontraktuale për blerjen e 300 milionë dozave, për të gjitha vendet anëtare.

Komisioni po vazhdon diskutime intensive edhe me prodhues të tjerë.

Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, tha se Komisioni do të bëjë çdo gjë që është e mundur që europianët të kenë akses të shpejtë ndaj një vaksine të sigurt e që të arrijë t’i mbrojë nga coronavirusi.

“Sot me Sanofi-n hodhëm hapin e parë të “Strategjisë Europiane për Vaksinat”, e cila është shumë më e gjerë se kaq. Së shpejti do të kemi zhvillime të tjera. Jemi në faza të avancuara diskutimi me shumë kompani. Edhe pse nuk dihet ende se cila vaksinë do të jetë më e përshtatshmja, Europa po investon në një portofol të larmishëm vaksinash, të cilat bazohen në lloje të ndryshme teknologjish. Kjo do të na i shtojë mundësitë për të gjetur një ilaç të shpejtë dhe të saktë kundër virusit. Vaksina do të ishte një produkt global. Jemi të angazhuar që të sigurojmë vaksina edhe për vendet më të brishta, që të gjejnë një rrugëzgjidhje për krizën”, tha von der Leyen.

Komisionerja për Shëndetësinë dhe Sigurinë Ushqimore, Stela Kiriakides, tha se strategjia më e sigurt për të dalë nga kriza është zotërimi i një vaksine të sigurt dhe të saktë ndaj coronavirusit.

“Për këtë arsye, kemi negociuar që BE të ketë një qasje të bashkuar, për të siguruar dozat nga kandidatëve e mundshëm për vaksinat. Bisedimet e sotme me Sanofi-n janë hapi i parë i rëndësishëm në këtë drejtim, në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohet vaksina në mënyrë të barabartë”, tha Kiriakides.

BE synon që vaksina të jetë e disponueshme për çdo person pa përjashtim, në çdo vend të botës, pasi askush nuk mund të jetë i mbrojtur nëse nuk janë të gjithë të mbrojtur.

Për këtë arsye blloku ka mbledhur rreth 16 miliardë euro, që nga 4 maji i vitit 2020, nëpërmjet Përgjigjes Botërore ndaj Coronavirusit, një nismë ndërkombëtare për akses universal të testeve.