Evropa

Djegia e kampit në Lesbos, emigrantët në qiell të hapur

Përditësimi i fundit: 09/09/2020 - 19:09
Text size Aa Aa

Emigrantët që jetonin në kampin Moria në ishullin e Lesbos, rreth 12 mijë vetë, kanë mbetur në qiell të hapur.

Shumë prej tyre deklarojnë se pas shkatërrimit të kampit nuk dinë se ku të shkojnë, ndërkohë që autoritetet druhen se emigrantët e sëmurë me COVID-19 mund ta përhapin atë.

“Situata është shumë, shumë e vështirë. Jemi gjithë këta njerëz të mbledhur nga e gjithë bota dhe tani duam të largohemi sepse zjarri shkatërroi gjithçka”, thotë një emigrant.

“Tani jemi jashtë. Kampi u dogj, të gjithë refugjatët dolën prej tij dhe janë jashtë. Ishte një zjarr i madh që u përhap me shpejtësi. Tani nuk dimë se ku të shkojmë. Të gjithë po përpiqemi të gjejmë një vend për të qëndruar”, shprehet një tjetër.

Shkaqet e zjarrit janë të panjohura, por autoritetet po hetojnë për të verifikuar nëse ka qenë i qëllimshëm.

“Nga sa mësuar deri tani, zjarri ra si pasojë e pakënaqësisë së banorëve të kampit, që u vendosën në izolim pasi 36 raste me coronavirus u konstatuan pas 1.900 testeve. Gjithashtu, zjarri ra përreth perimetrit të kampit dhe më pas u lokalizua brenda tij”, ka deklaruar Giorgos Koumoutsakos, zv.ministër i Emigracionit.

Mëngjesin e së mërkurës, pjesa dërrmuese e kampit të Morias ishte kthyer në gërmadhe, me konteinerët dhe tendat e djegura, si dhe me disa emigrantë që kërkonin nën rrënoja sendet personale.

Disa prej tyre u evakuuan, ndërsa të tjerë, të rraskapitur, i zuri gjumi në rrugë.

Të paktën 25 efektivë dhe 10 makina zjarrfikëse, të ndihmuar nga policia, luftuan me flakët si brenda ashtu edhe jashtë kompleksit.

Situata në Moria, që strehonte mbi 12 mijë persona, 4 herë më shumë se kapacitetet, ishte kritikuar shpesh herë nga grupet e të drejtave të njeriut për kushtet e rënda të higjienës.