Evropa

BE ''përgjegjëse'' për zjarret në Amazonë

Përditësimi i fundit: 11/09/2020 - 19:52
Text size Aa Aa

Ndërtesa e Komisionit Europian ne Bruksel mori një pamje tjetër këtë të premte. Aktivistët e “Greenpeace” mbuluan godinën “Berlaymont” me një pankartë gjigante ku shkruhej “Zjarret në amazonë. Europa është fajtore.”

"Jemi sot këtu për t’u rikujtuar liderëve europianë që edhe ata janë fajtorë për shkatërrimin dhe zjarret e njëpasnjëshme në Amazonë. Zjarret në Amazonë, si në çdo ekosistem, nuk janë aksidentalë. Ato janë një rrjedhojë e rritjes së konsumit të disa produkteve si mishi, produktet dhe nënproduktet e qumeshtit, vaji i palmës, druri dhe shumë të tjerë. Liderët europianë e kanë fuqinë për t’i dhënë fund, dhe të vendosin ligje e rregulla të reja.”

Edhe pse Europa dhe Amazona ndodhen kilometra larg njëra-tjetrës, miliona ferma në BE importojnë ushqimin për bagëtitë nga soja e kultivuar në Amerikën e Jugut.

Shpeshherë pyjet digjen për t’u hapur vend kullotave. Zjarret në Amazonë kanë filluar të shpërndahen edhe në pyjet e mbrojtura. Shkencëtarët paralajmëruan se shkatërrimi mund të arrijë pikën kritike të moskthimit.

Së fundmi, pyjet tropikale më të mëdha në botë, Pantanal, në pjesën perëndimore të pyejeve tropikale te Amazones, janë përfshirë nga një numër rekord zjarresh.

Trashëgimia Botërore e UNESCO-s, Amazona, ka biodiveristetin më të madh në botë dhe është shtëpi e specieve si xhaguarët dhe disa brejtës të konsideruar në rrezik zhdukjeje.

Një marrëveshje tregtare me shtetet e Amerikës së Jugut, të njohur si BE-Merkosur, ka ngritur shqetësimet e politikanëve europian mbi shkatërrimin e pyjeve të Amazonës. Franca kërcënoi me vendosjen e vetos, ndërsa Gjermania ka ngritur dyshime mbi marrëveshjen.

Deputetet e Parlamentit Europian vazhdojnë të kërkojnë që marrëveshja e Merkosurit të përfshijë edhe kushtin e mbrojtjes së pyjeve tropikale.