Evropa

“Do na duhet të mësohemi si të jetojmë me virusin” thotë Komisionerja e Shëndetësisë

Përditësimi i fundit: 12/09/2020 - 09:25
Text size Aa Aa

Europianët duhet të pranojnë që rregullat e distancimit social do të qëndrojnë për disa kohë, paralajmëroi shefja e shëndetësisë së Bashkimit Europian.  

Stella Kyriakides, Komisionerja e BE për Sigurinë Shëndetësore dhe Ushqimin, tha për Euronews se për sa kohë nuk ka ende një vaksinë të sigurt dhe efikase, vendeve do iu duhet të përshtaten një normaleje të re dhe të bëjnë ç ‘është e mundur që të mbajnë nën kontroll përhapjen e virusit.

Më shumë se 2.5 milionë raste me COVID-19 janë raportuar deri më tani në Europë, ndërsa vendet më të prekura mbeten Mbretëria e Bashkuar, Italia, Spanja dhe Franca.

“Pasi u hoqën kufizimet, në shumë vende njerëzit filluan të dëshironin kthimin drejt normales së vjetër”, tha Kyriakides në një intervistë për Euronews.

“Kjo nuk është e mundur. Do na duhet të mësojmë sesi të jetojmë me virusin dhe të jetojmë një lloj normaleje të re”.

Shpresat për një zgjidhje afatgjatë për pandeminë varen në krijimin e një vaksine të sigurt dhe efikase, por kjo mund të zgjasë dhe për shumë muaj të tjerë, por edhe kur kjo të ndodhë mund të hasim vështirësi të  tjera, paralajmëroi Kyriakides.

Edhe nëse kemi një vaksinë të suksesshme, kjo nuk do të thotë që situata e pandemisë do të zgjidhet që të nesërmen. Duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm”, tha ajo.

Komisionerja shtoi se në përpjekjet për të frenuar virusin, vendet anëtare duhet të synojnë gjetjen e një balance të duhur dhe të jenë të kujdesshëm mbi pasojat që kanë masat kufizuese mbi popullsinë.

“Mënyra më e mirë për të frenuar virusin është përmes testimeve, gjurmimit të kontakteve dhe izolimit atëherë kur duhet. Është jetike për shoqërinë dhe ekonominë që të shmangim një karantinë të dytë”, përmbylli Kyriakides.

 

Lexoni gjithashtu: 

“Jo bllokadë të re”, Franca përjashton kufizimet radikale, masa më të moderuara

Komisionerja e Shëndetësisë: Problemet me virusin do vazhdojnë

35 mld $ për COVID, Guterres, apel fuqive të mëdha për programin e OBSH-së

 


Tregime të lidhura