Evropa

Putin i kërkon ndjesë Vučić pas postimit të zëdhënëses së ministrisë

Përditësimi i fundit: 12/09/2020 - 11:12
Text size Aa Aa

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një gjest të rrallë publik, i ka kërkuar ndjesë homologut të tij serb Aleksandar Vučić, pas postimit të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ku ajo krahasonte këtë të fundit me rolin e Sharon Stone në filmin e njohur “Basic Instinct”.

Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme së Rusisë, postoi një foto të Vučić në takimin me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Shtëpine e Bardhë, së bashku me një foto të një skene intime të këmbëve të Sharon Stone në filmin Basic Instinct.

Në këtë skenë, Stone është duke u marrë në pyetje nga policia dhe shkurtimisht hap këmbët duke ekspozuar pjesët intime.  

Zakharova shkruante në post: “Nëse je i ftuar në Shtëpinë e Bardhë por karrigia është e pozicionuar sikur po merresh në pyetje, atëherë më mirë ulu si në foton e dytë. Kushdo qofsh. Thjesht besomë”. 

Ajo kërkoi falje pas dy ditësh si dhe ka hequr postimin nga faqja e saj, teksa u shpreh se ka qenë një keqkuptim, pasi thjesht donte të kritikonte “sjelljen arrogante” të administratës së Shteteve të Bashkuara.

Vučić, zhvilloi një bisedë telefonike me Putin gjatë së enjtes, e më pas i tha mediave vendase se lideri rus dhe ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, i kishin kërkuar ndjesë personalisht.

“Presidenti Putin nuk më ka kërkuar kurrë falje për asgjë e as Sergei Lavrov, por e kanë bërë këtë për shkak të atij postimi, edhe pse as nuk e përmenda dhe si një njeri i edukuar nuk do e kisha përmendur kurrë”.

Ai shtoi se për të kjo nuk ishte asgjë veçse “një incident kalimtar dhe aspak i rëndësishëm”.

 

Lexoni gjithashtu: 

SHBA, Kosova dhe Serbia nominohen për Çmim Nobel për Paqen

Vuçiç për Euronews Albania: Ambasada në Jerusalem, mbrojmë interesat e Serbisë. Përparime dialogu me Kosovën

Presidenti bjellorus Lukashenko kërkon mbështetje nga “vëllai i madh” Vladimir Putin

Tregime të lidhura