Evropa

Rikthehen Jelekët e Verdhë, protesta në Paris dhe qytete të tjera

Përditësimi i fundit: 12/09/2020 - 15:42
Text size Aa Aa

Ditën e shtunë në Paris ka patur një prani të theksuar të forcave të policisë, të cilat reaguan me gaz lotësjellës ndaj pjesëtarëve të lëvizjes “Jelekët e Verdhë”, të cilët u rikthyen për të protestuar, këtë herë kundër krizës së coronavirusit.

Sipas autoriteteve lokale, protestuesit ishin disa qindra, të mbledhur në dy sheshe të kryeqytetit francez, për manifestime të autorizuara. Ndërsa njëri prej kortezheve marshoi pa incidente, tjetri u përplas me policinë pasi protestuesit u vunë zjarrin konteinerëve të mbeturinave dhe automjeteve.

Autoritetet bënë me dije se deri në orën 13 të ditës së shtunë kishin arrestuar mbi 150 persona.

Ndërkohë, manifestimet ishin të ndaluara në disa zona të tjera të rëndësishme të Parisit, përfshirë shëtitoren Champs Elysees, që rreth dy vjet më parë u kthye në skenën e protestave të Jelekëve të Verdhë, që manifestuan zemërimin e tyre kundër planit të presidentit Macron për të rritur taksat për karburantet.

Mobilizimi i ri i Jelekëve të Verdhë vjen teksa Franca po lufton me një rikthim të rasteve të coronavirusit.

Më herët, policia u kishte bërë thirrje pjesëtarëve të lëvizjes që të respektonin masat për kujdesin shëndetësor, përfshirë ruajtjen e distancës dhe mbajtjen e maskës, sidomos në Paris, qytet që bën pjesë në të ashtuquajturat “zonat e kuqe” për shkak të rrezikut e ku mbajtja e maskës është me detyrim.