Evropa

Qeveria gjermane konfirmon se Alexei Navalny është helmuar me Novichok

Përditësimi i fundit: 14/09/2020 - 11:10
Text size Aa Aa

Laboratorët në Francë dhe Suedi kanë konfirmuar se lideri opozitar rus, Alexei Navalny, është helmuar me agjentin nervor të periudhës sovjetike Novichok, lajm i konfirmuar të hënën nga qeveria gjermane.

Më herët, një laborator i ushtrisë gjermane gjithashtu konfirmoi se kishte gjetur gjurmë të kësaj substance në disa mostra të analizuara.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert, tha se Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ka marrë disa mostra për t’i analizuar në laboratorët e tyre.

“Tre laboratorë të ndryshëm kanë konfirmuar se agjenti nervor është shkaku i helmimit i z.Navalny”, tha Seibert përmes një deklarate.

Navalny, kundërshtari më i fortë i presidentit rus Vladimit Putin, u dërgua në Gjermani dy ditë pasi u sëmur gjatë një fluturimi në Rusi. Berlini ka kërkuar që Rusia të hetojë çështjen.

Seibert ka përsëritur kërkesën e Gjermanisë që “Rusia të japë shpjegime” mbi çështjen. Ai shtoi se “janë në bisedime të vazhdueshme me partnerët europianë për hapat që do të ndjekin në vijim”.

Kremlini ka reaguar me zemëratë ndaj thirrjeve të kancelares gjermane Angela Merkel dhe liderëve të tjerë botërorë që kanë kërkuar përgjigje nga Rusia, teksa kanë mohuar se janë të përfshirë dhe akuzuan perëndimin se po përpiqet të “njollosë” Moskën.

Autoritetet ruse i kanë bërë thirrje Gjermanisë që të ndajë me ta provat që çuan në konkluzionin se Navalny është helmuar me agjentit nervor Novichok, substancë për të cilën autoritetet britanike thanë se ishte përdorur edhe mbi ish-agjentin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij në 2018.

Navalny u vendos në koma të induktuar për më shumë se një javë, ndërsa autoritetet shëndetësore thanë një javë më parë se gjendja e tij është përmirësuar mjaftueshëm për ta nxjerrë nga koma.

 

Lexoni gjithashtu: 

Zgjedhjet vendore në Rusi mes dyshimeve për helmimin e Navalny-t

OKB, apel Rusisë: Hetim transparent për helmimin e Navalny

Navalny del nga koma, kritiku i Kremlinit reagon dhe merr frymë pa aparatura

 

Tregime të lidhura