Evropa

Maskat dhe distanca sociale, rregullat e vitit të ri akademik në Evropë

Përditësimi i fundit: 14/09/2020 - 08:56
Text size Aa Aa

Rreth 76 milionë nxënës në të gjithë Evropën gjatë javëve te para të shtatorit u janë rikthyer bankave të shkollës në rrethana aspak të zakonta. Po si janë duke u përballuar autoritetet me këtë sfidë të re?

Këtë të hënë shkollat rihapen në Itali. Maska dhe distanca fizike janë të detyrueshme për fëmijët mbi 6 vjeç. Çdo nxënës që mungon tri ditë për arsye shëndetësore do të duhet të provojë se nuk është pozitiv me COVID-19.

Në rast të infeksionit të konfirmuar, autoritetet shëndetësore mund të urdhërojnë karantinën për shokët e klasës, mësuesit dhe "rrethin e kontaktit" më të ngushtë.

"Rikthimi në shkolla këtë vit është shumë i rëndësishëm. Do të ketë sfida dhe probleme, veçanërisht në fillim. Por ju duhet të bëni pjesën tuaj. Duhet të respektoni rregullat, të mbroni jo vetëm shëndetin tuaj por edhe të të dashurve tuaj”, është shprehur kryeministri italian Giuseppe Conte.

Edhe në Portugali sot rihapen shkollat. Maskat janë të detyrueshme për fëmijët mbi 11 vjeç, distanca fizike po ashtu. Maskat nuk janë të detyrueshme gjatë orës së fizkulturës, megjithatë duhet të ndiqen rregullat e distancimit fizik. Nëse konfirmohen dy raste me coronavirus, autoritetet shëndetësore do të përcaktojnë masat e mëtejshme.

Krahas Italisë e Portugalisë, mësimi ka nisur edhe në Francë, Spanjë, Gjermani dhe Britani të Madhe.

Në Spanjë sipas udhëzimeve, maskat janë të detyrueshme për fëmijët mbi 6 vjeç dhe duhet të përdoren edhe gjatë transportit. Nxënësit dhe mësuesit masin temperaturën çdo ditë, distanca fizike është një tjetër masë bazike.  Sipas autoriteteve nëse dikush shfaq simptoma do të nis izolimi paraprak derisa të ketë konfirmim.

Në Francë po ashtu rinisja e mësimit ishte e pazakontë. Sipas udhëzimeve, të gjithë duhet të mbajnë maska e të respektojnë distancën 1 metër. 

Përjashtim për mbajtjen e maskës përbëjnë fëmijët nën moshën 11 vjeç. Por një javë pas rihapjes kombëtare, 22 shkolla u mbyllen përsëri, për shkak të shfaqjes së rasteve me COVID-19.

Mbyllja e shkollave urdhërohet nëse zbulohen 3 raste në klasa të viteve të ndryshme.

Shfaqja e rasteve me COVID-19 dhe mënyra sesi nxënësit, por edhe personeli akademik do të përshtaten me masat e reja përbëjnë një sfidë për të gjithë.

 

Lexoni gjithashtu:

Nisja e shkollave në Greqi, ndarëse xhami në bankat e klasës

FOTO| Nis viti i ri shkollor, 480 mijë nxënës të sistemit parauniveristar ulen sërish në bankat e shkollës, 31 mijë për herë të parë

Dita e parë e shkollës, PD ngre shqetësim për grumbullime dhe mungesë organizimi 

Tregime të lidhura