Evropa

COVID-19 në Francë: Rastet e infektimeve dyfishohen çdo dy javë, spitalet në alarm

Përditësimi i fundit: 15/09/2020 - 07:45
Text size Aa Aa

Zyrtarë të lartë në Francë paralajmëruan të hënën se numri i rasteve me COVID-19 po dyfishohet çdo dy javë në radhët e popullsisë së Parisit dhe të prekurit mund të kërkojnë terapi intensive në reparte tashmë të mbipopulluara.

Sikurse vende të tjera evropiane, Franca është përballur me një rritje të re të rasteve me coronavirus, ndërsa qeveria ka premtuar shtimin e testeve dhe forcimin e masave në zonat me infeksion të lartë, për të shmangur një rikthim të bllokadës së përgjithshme të vendosur më herët gjatë vitit.

Drejtori i spitaleve të rajonit të Parisit, Martin Hirsch deklaroi se pavarësisht një ritmi më të ulët të infektimeve krahasuar me pranverën, numri i shtrimeve në spitale po dyfishohet çdo muaj.

“Rastet dyfishoheshin çdo tre ditë në fillim të marsit, ndërsa tani dyfishimi ndodh çdo dy javë. Të paktën kështu konstatuam javën e kaluar. Në spitalet tona, shifra e të shtruarve dyfishohet çdo tre javë ose çdo muaj, pra po dyfishohet më ngadalë dhe kjo është arsyeja përse nuk po ndjejmë të njëjtën shkallë urgjence që ndjemë në pranverë. Por sërish shifrat po rriten, ndaj dhe ne duam ta ndryshojmë këtë trend dhe mund ta bëjmë”, është shprehur Hirsch.

Qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë më të kujdesshëm, sidomos në eventet private. Në një artikull të publikuar të dielën në një gazetë, 6 mjekë bënin thirrje që ato të shmangeshin.

Bilanci i vdekjeve që nga fillimi i epidemisë këtë vit në spitalet dhe shtëpitë e të moshuarve në Francë ka arritur në 30,916 dhe 6 vdekje të regjistruara në 24 orët e fundit.

 

Lexoni gjithashtu:

OBSH: Europa duhet të përgatitet për rritje të viktimave nga COVID-19 në tetor e nëntor

Maskat dhe distanca sociale, rregullat e vitit të ri akademik në Evropë

Coronavirus: Rritje e të infektuarve në disa shtete, Izraeli rivendos izolimin kombëtar

Tregime të lidhura