Evropa

Marrëdhëniet BE-Kinë, Unioni mesazh Pekinit: Tregtia në kushte të barabarta

Përditësimi i fundit: 15/09/2020 - 07:32
Text size Aa Aa

Krerët e Bashkimit Evropian i thanë lidershipit kinez ditën e hënë se blloku nuk do të lejojë më Pekinin të përfitojë prej tij dhe kërkuan një marrëdhënie tregtare më të balancuar.

Në një konferencë për shtyp, pas një video-samiti me presidentin Xi, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se BE duhet të kthehet në një lojtar dhe jo në fushë loje.

Europa duhet të jetë një lojtar, jo fushë loje. Takimi i sotëm përbën një tjetër hap përpara drejt krijimit të një marrëdhënieje më të balancuar me Kinën”, ka thënë Michel.

Ndërkohë, kancelarja gjermane Angela Merkel, vendi i të cilës mban presidencën e radhës të BE, deklaroi se bashkëpunimi me Kinën duhet të bazohet tek reciprociteti dhe konkurrenca e ndershme.

“Në tërësi, bashkëpunimi me Kinën duhet të bazohet në disa parime, si reciprociteti dhe konkurrenca e ndershme. Ne jemi sisteme sociale të ndryshme, por përderisa kemi të bëjmë me multilateralizëm, atëherë duhet të ketë rregulla”, është shprehur Merkel.

Në të njëjtën konferencë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se duhet ende të arrihet progres për një sërë çështjesh, përfshirë futjen e kompanive evropiane në tregun kinez, për të cilën duhet arritur një marrëveshje.

“Për ne, futja në treg nuk është një çështje që duhet lënë përgjysmë, por është çështje balancimi dhe simetrie, ndaj dhe për hapjen e tregjeve përkatëse ne na duhet që Kina të lëvizë drejt përmbushjes së këtyre aspekteve, ndërsa ne duhet të përmbushim objektivat tanë për ta finalizuar marrëveshjen këtë vit. Pra, me pak fjalë, Kina duhet të na bindë se marrëveshja e investimeve ia vlen”, tha Ursula von der Leyen pas samitit.

Me më shumë se 1 miliard euro shkëmbime dypalëshe, BE është partneri kryesor i tregtisë së Kinës, ndërkohë që vendi aziatik është i dyti pas Shteteve të Bashkuara si treg për produktet dhe shërbimet e BE-së.

 

Lexoni gjithashtu:

Maskat dhe distanca sociale, rregullat e vitit të ri akademik në Evropë

Qeveria gjermane konfirmon se Alexei Navalny është helmuar me Novichok

Tregime të lidhura