Evropa

Bullgaria në udhëkryq, Parlamenti Europian rezolutë kundër Borissov

Përditësimi i fundit: 07/10/2020 - 11:20
Text size Aa Aa

Situata e shtetit të së drejtës dhe të drejtat themelore në Bullgari kanë qenë në qendër të sesionit plenar në Bruksel, ku ra në sy pjesëmarrja e dobët nga eurodeputetët bullgarë.

Gjatë javës, parlamenti europian, do ju kërkojë eurodeputetëve të miratojnë një rezolutë e cila sfidon qeverinë e kryeministrit Borisov. Rezoluta pritet të votohet në 8 tetor në seancë plenare dhe të miratohet nga shumica .

Në një debat të nxehtë, ligjvënësit Socialistë, të Gjelbrit dhe Liberalët kritikuan qeverinë e Bullgarisë se ka mbetur mbrapa me vlerat demokratike dhe ka abuzuar me  fondet e BE.

Një demonstratë e vogël, paqësore e organizuar nga shtetas bullgarë  u zhvillua në Bruksel jashtë parlamentit përpara se të mblidhej takimi plenar i së hënës.

Protestuesit akuzuan kryeministrin Boyko Borisov, për dobësimin e institucioneve shtetërore në dobi të biznesmenëve  të fuqishëm, duke e renditur Bullgarinë  si vendi më i varfër i Bashkimit Evropian.

Borissov ka dominuar politikën Bullgare që nga viti 2009 por mijëra Bullgarë  vijojnë të protestojnë që nga fillimi i Korrikut për të kërkuar dorëheqjen e tij dhe të Kryeprokurorit Ivan Geshev.

Nga ana tjetër në krah të protestuesve është Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev i cili e përshkroi qeverinë e Borissov si të korruptuar.

Transparency International e rendit Bullgarinë si vendin më të korruptuar në BE-së mes 27 shteteve.

Për të tretin vit radhazi, Bullgaria është e 111-ta në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, me renditjen më negative.

Rezoluta thotë se rekomandimet nga Komisioni i Venecias duhet të zbatohen plotësisht. Raporti i miratuar tashmë më herët, trajton situatën e përkeqësuar në Bullgari në lidhje me parimet e shtetit të së drejtës, demokracisë dhe të drejtave themelore, duke përfshirë pavarësinë e gjyqësorit, ndarjen e pushteteve, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e medias.

Debati parlamentar dhe rezoluta e kësaj jave shënon një rritje të mprehtë të presionit që asambleja po i bën Bullgarisë.

Tregime të lidhura