Evropa

Frika e valës së dytë të pandemisë, shtohen masat kufizuese në shumë shtete evropiane

Përditësimi i fundit: 16/10/2020 - 08:24
Text size Aa Aa

Vala e dytë e pandemisë duket se po shtrihet në shumë shtete evropiane. Me më shumë se 330.000 raste në ditë, pjesa më e madhe e qeverive po forcojnë masat kufizuese. OBSH bën me dije se ndonëse numri i vdekjeve është pese herë më i ulët se në prill, vendosja e kufizimeve është e nevojshme për të shpëtuar mijëra jetë.

"Sezoni vjeshtë-dimër vijon në Evropë duke shënuar rritje të rasteve të të infektuarve dhe rritje të përqindjes së vdekjeve ditore. Situata epidemiologjike në Evropë po shkakton shqetësim të madh", është shprehur drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.

Deri më tani asnjë shtet nuk ka aplikuar mbylljen e kufijve sikurse ndodhi gjatë valës së parë të pandemisë, por shumë rajone po cilësohen nga autoritete evropiane të shëndetit si zona të kuqe.

Mes këtyre vendeve është edhe Franca që nga e shtuna në mesnatë vendos shtetrrethim në disa qytete, përfshirë Parisin, Marsejë, Lion duke prekur rreth 20 milionë qytetarë

"Ky shtetrrethim do të jetë në fuqi nga ora 21 n orën 6 të mëngjesit.  Që do të thotë nga ora 9 të gjithë duhet të jenë në shtëpi, me përjashtime të rralla. Dhe të gjitha dyqanet e ambientet që presin publikun do të mbyllen”, tha kryeministri francez Jean Castex.

Në Britani po ashtu po rivendosen masat kufizuese. Londra dhe Essex cilësohen tashmë në nivelin të lartë të emergjencës. Çka do të thotë nuk lejohet të takohesh me të tjerë njerëz përveç familjes me të cilën jetoni, ndalohen edhe takimet në restorante.

Vetëm rajoni i Liverpolit ndodhet në nivelin 3, niveli më i lartë i emergjencës. 

Manchester pritet po ashtu të futet në këtë nivel ndonëse kryebashkiaku e refuzon një plan të tillë.

"Njerëzit janë lodhur duke u trajtuar në këtë mënyrë, Veriu është mërzitur, ne nuk do të mërzitemi.  Kjo është një pandemi, jeta e njerëzve, vendet e punës, bizneset janë në rrezik. Kjo nuk është vetëm një lojë e njerëzve që luajnë politikë. Kjo është e vërtetë", thotë kryebashkiaku i Manchester Andy Burnham.

Masa kufizuese të rrepta janë vendosur edhe në Poloni. Shumë rajone përfshirë edhe Varshava cilësohen zona të kuqe. Çka do të thotë se janë mbyllur edhe shkollat.  Vendimet u morën pasi gjate te enjtes rastet me COVID-19 u rritën me 24 duke shtuar presionin në sektorin shëndetësor.

Tregime të lidhura