Evropa

Jo marrëveshje me çdo çmim, BE paralajmëron Britaninë e Madhe për Brexit

Përditësimi i fundit: 16/10/2020 - 08:09
Text size Aa Aa

Liderët e Bashkimit Evropian i bënë të qartë Mbretërisë së Bashkuar në fillim të samitit të vendeve anëtare se do të përpiqen për arritjen e një marrëveshjeje për Brexit, por janë të përgatitur edhe për një dështim të bisedimeve.

“Ne duam një marrëveshje, por natyrisht jo me çdo çmim. Duhet të jetë një marrëveshje e drejtë, nga e cila të përfitojnë të dyja palët. Përpjekjet për një akord ia vlejnë, ndaj ne do mbështesim negociatat e drejtuara nga Michel Barnier dhe Ursula von der Leyen”, është shprehur kancelarja gjermane Angela Merkel.

Në të njëjtën linjë, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se nëse kushtet e marrëveshjes nuk do të jenë të përshtatshme për të dyja palët, Unioni do të tërhiqet.

“Do të jem shumë i qartë, kjo marrërveshje s’mund të arrihet me çdo çmim. Nëse kushtet nuk përputhen është e mundur të mos kemi një akord. Ne jemi të përgatitur për këtë, Franca është e përgatitur; ne kemi hartuar rregullat dhe po finalizojmë masat që do të merren për çdo sektor”, tha presidenti i Francës Emmanuel Macron.

Ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nënvizoi se deri tani në negociatat me palën britanike është bërë një punë e mirë, por shtoi se çështjet kryesore janë ende pezull.

“Është bërë një punë e mirë, por dy çështjet kritike janë ende të hapura; njëra është çështja e peshkimit, që është jetike për disa mijëra peshkatarë evropianë; ndërsa çështja e dytë janë kushtet e marrëdhënieve tregtare, që janë po ashtu jetike. Ndaj duhet të jetë diçka e drejtë për kompanitë dhe bizneset e Bashkimit Evropian” u shpreh Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.

Deri më sot, negociatat mes Brukselit dhe Londrës për finalizimin e Breksit nuk kanë avancuar, pavarësisht takimeve të shumta të dy negociatorëve. Në këto kushte, drita në fund të tunelit nuk po shihet ende.

 

Lexoni gjithashtu:

Vetizolohet Von der Leyen, kryetarja e KE la samitin pasi anëtarja e stafit rezultoi me COVID

 

Tregime të lidhura