Evropa

''Nuk ka marrëveshje'', londinezët të shqetësuar nga qasja e kryeministrit Johnson ndaj BE-së

Përditësimi i fundit: 16/10/2020 - 22:08
Text size Aa Aa

Londinezët shprehën shqetësimin e tyre ditën e premte pasi kryeministri Boris Johnson deklaroi se Britania e Madhe do të përgatitet për ta mbyllur pa marrëveshje procesin e daljes nga Bashkimi Evropian.

Në një fjalim televiziv, Johnson tha se është koha që Mbretëria e Bashkuar të përgatitet për një skenar të tillë, nëse BE nuk ndryshon qasjen në bisedime.

“Jam shumë, shumë e shqetësuar. Mendoj se vendi ndodhet në telashe serioze. Neve na duhet Evropa, pa të do të fundosemi. Ekonomia është e gjunjëzuar dhe është momenti më i papërshtatshëm për të realizuar Brexit. Gjërat ishin shumë keq edhe përpara virusit, por tani...” – u shpreh Hillary Freeman, banore e Londrës.

Një finale pa marrëveshje e procesit 5-vjeçar të Brexit mund të shkaktojë kaos në zinxhirët delikatë të furnizimit të Britanisë, BE-së dhe më tej, në një kohë kur ekonomitë janë drobitur nga pasojat e pandemisë së koronavirusit.

“Po. Mendoj se të gjithë janë paksa të shqetësuar për këtë. Gjërat janë ngatërruar pakëz së fundmi dhe mendoj se njerëzit nuk e dinë se çfarë po ndodh. Ndaj, po. Jam e shqetësuar,” – u shpreh Jane Anstead, gjithashtu londineze.

Në atë që supozohej të ishte një samit mbi Brexit ditën e enjte në Bruksel, Unioni dha një mesazh të qartë, se nuk do të ketë një marrëveshje me çdo çmim.

Zëdhënësi ii Johnson deklaroi më vonë se bisedimet tashmë kanë marrë fund dhe se nuk ka kuptim që kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier të vijë në Londër javën e ardhshme, pa ndryshuar qasjen.

 

Lexoni gjithashtu:

Jo marrëveshje me çdo çmim, BE paralajmëron Britaninë e Madhe për Brexit

Tregime të lidhura