Evropa

Bullgaria hyn në ditën e 100 të protestave, qytetarët denoncojnë korrupsionin

Përditësimi i fundit: 17/10/2020 - 10:50
Text size Aa Aa

Qindra qytetarë kanë marshuar në qytete të ndryshme të Bullgarisë gjatë së premtes, duke shënuar 100 ditë protesta të vazhdueshme anti-qeveritare.

Protestuesit kanë denoncuar korrupsionin e thellë dhe degradimin e sundimit të ligjit.

Ata kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Boyko Borissov, qeverisë së tij dhe Kryeprokurorit, Ivan Geshev, për shkak të aludimeve se ata kanë lejuar oligarkët që të kenë kontroll mbi vendin.  

Protestuesit thonë se janë të lodhur nga mënyra e qeverisjes së Borissov, i cili është në krye të qeverisë që prej 2009, për tre mandate radhazi.

Eurodeputetët kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestat në Bullgari dhe janë shprehur se çdo lloj ndryshimi duhet të vijë përmes zgjedhjeve.

Protestat kanë nisur më 9 korrik.

Borissov ka propozuar një sërë reformash për të ndryshuar Kushtetutën por kjo është pritur me kundërshtim të madh nga protestuesit, të shqetësuar se kjo mund të jetë një ndërhyrje nga e cila Borissov do të përfitonte për të qëndruar më gjatë në pushtet.

Marshimet kanë qenë kryesisht paqësore, por megjithatë ka pasur dhe përplasje me forcat e rendit dhe disa të ndaluar.

Organizata Transparency International e ka renditur Bullgarinë si vendi më i korruptuar në Bashkimin Europian, ndërsa ekonomia e vendit është ndër të varfrat në Europë, kryesisht për shkak të korrupsionit.

 

Lexoni gjithashtu

Bullgaria në udhëkryq, Parlamenti Europian rezolutë kundër Borissov

BE publikon raportin rreth shtetit ligjor dhe mangësitë demokratike në vendet anëtare

Vijojnë protestat në Bullgari kundër kryeministrit dhe kryeprokurorit

 

Tregime të lidhura