Evropa

Gjermania kundër Francës, Berlini: Jo autonomisë ushtarake, SHBA aleati kryesor i sigurisë

Përditësimi i fundit: 18/11/2020 - 07:35
Text size Aa Aa

Evropa nuk do të jetë në gjendje të garantojë sigurinë e saj pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për dekada me radhë.

Kështu ka deklaruar ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp Karrenbauer, e cila ka dalë kundër idesë së presidentit francez Emmanuel Macron për një autonomi strategjike të Evropës.

“Ideja për një autonomi strategjike për Evropën është e tepruar, nëse ajo ushqen iluzionin se ne mund të garantojmë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës pa NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara”, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes.

Sipas ministres së Mbrojtjes, do të duhen dekada derisa Evropa të ndërtojë një fuqi ushtarake konvencionale dhe bërthamore për të mbuluar atë pjesë të sigurisë që aktualisht e ofrojnë Shtetet e Bashkuara dhe NATO.

“Aleati kryesor i Evropës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat do të mbeten për një të ardhme të gjatë. Pa kapacitetet tradicionale por edhe ato bërthamore të Amerikës, Evropa nuk e mbron dot veten”, tha znj. Karrenbauer.

Aleanca ushtarake mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara u lëkund pas zgjedhjes së Donald Trump president, i cili kërcënoi me tërheqjen e Amerikës nga NATO. Por me fitoren e Biden në zgjedhjet e fundit, gjërat duket se do të rikthehen sërish në normalitet.

Tregime të lidhura