Evropa

15 vjet kancelare l Karriera e Merkel nga bashkimi i Gjermanisë deri tek kriza e COVID

Përditësimi i fundit: 20/11/2020 - 21:58
Text size Aa Aa

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të bëjë 15 vjet në detyrë të dielën e ardhshme, një vit më pak se kancelari më jetëgjatë i Gjermanisë së pas luftës, Helmut Kohl, që qeverisi vendin nga viti 1982 në 1998.

Merkel, që u rrit në Gjermaninë Lindore përpara se të caktohej nga Kohl në postin e parë ministror, deklaroi dikur se ai ndryshoi shtegun e jetës së saj kur bashkoi Gjermaninë në vitin 1990.

Ndërsa më herët gjatë javës ajo tha se kufizimi i kontakteve mes njerëzve për shkak të koronavirusit ishte një nga vendimet më të vështira që kishte marrë, menaxhimi që i bëri krizës së emigrantëve në vitin 2015 konsiderohet si një nga ngjarjet më turbolente të detyrës së saj.

Në vitin 2015, mbi 1.1 milion emigrantë kërkuan strehë në Gjermani. Në tetor të të njëjtit vit, Merkel pa popullaritetin e saj të ulej në minimumin historik në 4 vjet, gjë që sipas sondazheve reflektoi rritjen e shqetësimit për fluksin e refugjatëve në Gjermani.

Sidoqoftë me kalimin e viteve kancelarja u rikuperua në sondazhe dhe popullariteti i saj rifitoi pikët e humbura. Në deklaratat e saj, ajo ka thënë se misioni i saj është vetëm një:

“Unë dua të them vetëm se Gjermania është një vend i fortë dhe motoja me të cilin ne duhet të ecim është: ne kemi arritur shumë, mund të arrijmë sërish dhe aty ku ka pengesa duhet t’i kalojmë ato”, tha Merkel.

Në rini, Merkel studioi fizikë në Universitetin e Lajpcigut, ku mori edhe një doktoratë, dhe u bë politikisht aktive pas rënies së murit të Berlinit, kur u bashkua me Kristian Demokratët.

Ajo është martuar dy herë dhe nuk ka fëmijë. Gjithashtu, ajo është fanse e muzikës klasike dhe i pëlqen ngjitja në mal në kohën e lirë.