Evropa

Londra pranë kolapsit, kryebashkiaku Sadiq Khan shpall “incidentin madhor”

Përditësimi i fundit: 09/01/2021 - 19:06
Text size Aa Aa

Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan shpalli gjendjen e “incidentit madhor”, për shkak se përhapja e variantit të ri të coronavirusit, me ritmin 1 mijë për 100 mijë banorë, kërcënon sistemin shëndetësor.

Spitalet në Londër po presin 800 pacientë me COVID në ditë, shifër e barazvlefshme me kapacitetin e plotë të Saint Thomas, spitali kryesor i kryeqytetit britanik.

“Virusi ka dalë nga kontrolli, sistemi shëndetësor rrezikon të mbingarkohet dhe ajo që dua të them është se rrezikojmë që spitalet të mbeten pa shtretër në javët e ardhshme, nëse virusi vazhdon të përhapet dhe njerëzit vijojnë të shtrohen”, tha kryebashkiaku Sadiq Khan.

Kryebashkiaku i Londrës tha se i kishte shkruar kryeministrit Johnson, duke i kërkuar më shumë mbështetje financiare për qytetarët që duhet të vetëizolohen dhe që nuk mund të paraqiten në vendet e punës.

Sadiq Khan po kërkon gjithashtu mbylljen e qendrave të argëtimit dhe që maskat mbrojtëse të mbahen në ambientet e hapura.

Autoritetet shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar kanë autorizuar një vaksinë të tretë kundër COIVD, të prodhuar nga kompania “Moderna”, e treta që licencohet në vend.

Departamenti i Shëndetit Publik deklaroi të premten se vaksina në fjalë përmbush standardet strikte të enteve rregullatore sa i takon efikasitetit, cilësisë dhe sigurisë.

Qeveria ka porositur 10 milionë doza, të cilat nuk pritet të mbërrijnë përpara pranverës. Deri më sot Britania ka vaksinuar 5 milionë persona me dy vaksinat e tjera.