Evropa

Britania pa oksigjen, Johnson jep alarmin: Rezervat po mbarojnë

Përditësimi i fundit: 11/01/2021 - 22:31
Text size Aa Aa

Kryeministri britanik Boris Johnson deklaroi të hënën se Mbretëria e Bashkuar është në garë me kohën për përhapjen e vaksinës, teksa vdekjet nga COVID prekën një nivel rekord dhe spitaleve po u mbaron oksigjeni. Johnson tha se javët më të këqija të pandemisë janë fare pranë.

Një variant i ri dhe më i transmetueshëm i virusit po përhapet në radhët e popullsisë, me 1 në 20 banorë të infektuar në zona të ndryshme të Londrës, të cilët kërcënojnë të mbingarkojnë sistemin shëndetësor, në një kohë kur spitalet po tejmbushjen me pacientë.

Bilanci i vdekjeve në Britaninë e Madhe është rritur dhe tani ka kaluar 81 mijë viktimat, duke u bërë vendi i pestë në botë, pa anashkaluar faktin se mbi 3 milionë persona kanë rezultuar pozitivë ndaj testeve.

Në përpjekje për të tejkaluar krizën dhe për t’u kthyer pjesërisht në normalitet brenda pranverës, Britania po avancon programin më të madh të vaksinimit, me dozat që do t’u ofrohen 15 milionë njerëzve deri në mesin e muajit të ardhshëm.

“Është një garë kundër kohës, sepse mund të shohim qartë kërcënimet që i kanosen sistemit tonë shëndetësor, kërkesën në rritje për repartet e terapisë intensive, për shtretërit me ventilim, si dhe mungesën e rezervave me oksigjen në disa zona”, u shpreh Johnson.

Kryeministri britanik shtoi se 2.4 milionë doza vaksinash janë administruar deri tani në Mbretërinë e Bashkuar. Ai saktësoi se thuajse 40 për qind e 80-vjeçarëve në vend janë vaksinuar tashmë, bashkë me 23 për qind e të moshuarve në shtëpitë e kujdesit shëndetësor.