Evropa

Kryeministri irlandez kërkon falje për vdekjen e 9 mijë fëmijëve në jetimore

Përditësimi i fundit: 13/01/2021 - 22:38
Text size Aa Aa

Më shumë se dy dekada pasi tmerri i shtëpive të strehimit për “nënat dhe fëmijët e tyre” përfundoi, Irlanda ka kërkuar zyrtarisht falje për një nga kapitujt më të errët të historisë së saj.

"Kërkoj ndjesë për gabimet dhe vuajtjen e nënave irlandeze dhe fëmijëve të tyre të cilët ishin të detyruar të jetonin në shtëpitë e strehimit. Siç e nënvizon edhe komisioni parlamentar, ato nuk duhet të përfundonin aty. Kërkoj ndjesë për stigmatizimin dhe paragjykimin e bërë ndaj tyre dhe dua të nënvizoj që ato ndodheshin në ato institucione për shkak të të tjerëve dhe se ato nuk kishin asnjë lloj faji dhe nuk kishin bërë asnjë lloj akti mbi të cilin duhet t’i vinte turp”, shprehet Micheal Martin, kryeministër i Irlandës.

Një hetim 5-vjeçar i publikuar ditën e martë zbuloi se rreth 9 mijë fëmijë humbën jetën në jetimoret shtetërore midis viteve 1922 dhe 1998 nga kushte të papërshtatshme strehimi, keq-ushqyerja dhe sëmundjet.

“Ky është holokausti ynë, apo jo? Në Gjermani ndodhi holokausti kundër hebrenjve, por shtëpitë e strehimit të nënave dhe fëmijëve ishin holokausti ynë”, tha Carmel Larkin, e mbijetuar.

56 mijë nënat e pamartuara dhe fëmijët e tyre nuk kishin zgjidhje tjetër veç se të strehoheshin në këto institucione, ku vuajtën një listë të gjatë abuzimesh, çka solli dhe mesataren e lartë të vdekshmërisë së foshnjave, gati dy-fish më të lartë se sa mesatarja kombëtare në këtë periudhe. Edhe pse autoritetet në atë kohë ishin në dijeni, nuk u mor asnjë masë për përmirësimin e kushteve të jetimoreve.

“Ata përdorin terma të përgjithshme, nuk përmendin fjalë si “adoptim të detyrueshëm, adoptim të jashtëligjshëm, ata po thonë se nuk kanë gjetur prova që se jetimoret kanë qenë të përfshira në adoptime të jashtëligjshme. Por, unë kam prova konkrete mbi këtë fakt”, thotë Susan Lohan, kryetare e Aleancës së të Drejtave të Adoptimit.

Duke marrë parasysh që nuk është e mundur që këto viktima të kompensohen financiarisht, publiku shpreson që ndjesa zyrtare nga Kryeministri dhe sqarimi i mëtejshëm i asaj që ka ndodhur do të sjellë sadopak lehtësim për familjet e viktimave.