Evropa

Raporti zbulon se 9,000 fëmijë kanë ndërruar jetë në strehat për bebet dhe nënat e pamartuara në Irlandë

Përditësimi i fundit: 13/01/2021 - 12:44
Text size Aa Aa

Një raport i kohëve të fundit në Irlandë tregon se gjatë shekullit të kaluar, rreth 9,000 fëmijë kanë ndërruar jetë në 18 shtëpi të ndryshme që strehojnë nëna të pamartuara dhe fëmijët e tyre.

15% e bebeve të lindura në këto streha kanë vdekur, një shifër pothuajse dyfish e shkallës së vdekshmërisë së bebeve në të gjithë botën.

Shtëpitë, të cilat drejtoheshin nga kishat në Irlandë, strehonin bebe jetime, nëna të pamartuara dhe fëmijët e tyre gjatë shekullit të 20-të. Institucionet kanë qenë temë e gjerë bisede në Irlandë që prej vitit 2014, kur historiania Catherine Corless gjurmoi 800 certifikata vdekjesh të fëmijëve që kishin ndërruar jetë në shtëpinë “Bon Secours Mother and Baby Home” në Irlandë, por gjeti dokument varrosjeje për vetëm një prej tyre.

Hetuesit më pas zbuluan varre masive, të cilat mbanin brenda eshtra fëmijësh dhe bebesh. Ato ndodheshin nën një strukturë të derdhjes së ujërave të zeza në strehën që në atë kohë drejtohej nga murgeshat katolike.

Shpesh gratë dërgoheshin në këto streha në shenjë turpi. Disa shtatëzani vinin si pasojë e përdhunimeve dhe një numër i madh i grave vuanin nga probleme të shëndetit mendor, pasi jeta e tyre ishte “njollosur” nga një shtatëzani jashtë martese.

Komisioni për Hetimin e Strehave të Nënave dhe Bebeve u krijua në vitin 2015 nga qeveria irlandeze për të zbuluar më tepër mbi fatin e këtyre grave dhe fëmijëve gjatë viteve 1922-1998.

Hetimi tregon se në këto streha shkalla e vdekjeve të të sapolindurve dhe fëmijëve është shumë e lartë, veçanërisht gjatë viteve të para të ekzistencës së tyre.

Pavarësisht natyrës së ashpër të këtyre shtëpive, në raport thuhet se përgjegjësia bie kryesisht mbi baballarët e fëmijëve dhe familjet e këtyre personave.

Strehat financoheshin dhe miratoheshin nga institucionet e shtetit dhe kishës, por strehat e bebeve dhe nënave siguronin strehim në rastet kur familjet refuzonin t’i strehonin ata.  

 

Lexoni gjithashtu:

COVID-19 rëndoi më shumë mbi gratë dhe vajzat në Shqipëri, zbulon studimi

Gjyqi ndaj grupit mafioz Ndrangheta vë përpara drejtësisë 355 të akuzuar

Pasi u mjekua në Gjermani, Alexey Navalny vendos të rikthehet në Rusi

Tregime të lidhura