Evropa

Moska bëhet ‘e gjelbër’, plan për pajisjen e transportit publik me autobusë elektrikë

Përditësimi i fundit: 19/02/2021 - 20:09
Text size Aa Aa

Moska planifikon që të katërfishojë numrin e autobusëve elektrikë në vitet e ardhshme dhe të zëvendësojë naftën e përdorur për mjetet e transportit publik me alternativa të gjelbra brenda vitit 2030.

Mosgortrans, që kontrollon sistemin e tramvajit dhe atë të autobusëve në kryeqytetin rus, ka deklaruar se flota e saj prej 600 autobusëve elektrikë do të zgjerohet me 400 mjete të tjera brenda fundit të vitit, nga 420 të tjera vitin e ardhshëm dhe më pas me 855, duke e çuar flotën në mbi 2 mijë autobusë elektrikë.

“Ne kemi në plan të zëvendësojmë të gjitha mjetet e transportit publik me mjete me energji të gjelbër brenda 2030-s. Nuk do t’i heqim dot qafe të gjithë autobusët me karburant tradicional, por plani është që hap pas hapi të arrihet në zëvendësimin e plotë të tyre”, tha Artyom Burlakov, drejtor i projektit të inovacionit.

Aktivistët për mbrojtjen e ambientit e kanë mirëpritur iniciativën. “Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për autobusë elektrikë, ne po blejmë edhe mjete më efikase për sistemin e tramvajit, që është diçka pozitive. Gjithashtu, linjat e metrove në Moskë ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve të transportit. Përpos këtyre kemi në plan të ndërtojmë njësi furnizimi me elektricitet, për të nxitur përdorimin e transportit elektrik”, deklaroi Mikhail Babenko, drejtor i programit “Ekonomia e Gjelbër”.

Sidoqoftë, ekspertët thonë se përpara është ende një rrugë e gjatë, sidomos kur ka të bëjë me ndryshimin e qasjes së moskovitëve në favor të alternativave të gjelbra. Kryeqyteti rus vijon të mbetet famëkeq sa i takon trafikut kaotik.