Evropa

Britani, rriten rezervimet për pushimet verore

Përditësimi i fundit: 23/02/2021 - 22:47
Text size Aa Aa

Pasi Britania bëri të ditur planin me katër faza për heqjen e kufizimeve dhe rihapjen e fluturimeve ndërkombëtare pas muajit maj, kompania ajrore Easy-Jet raportoi një rritje të jashtëzakonshme të pretimeve për pushimet verore

Spanja, Portugalia dhe Greqia janë disa nga destinacionet më të kërkuara nga britanikët dhe këtë e tregon edhe rritja e prenotimeve për muajt e verës

Pasi Britania bëri të ditur planin me katër faza për heqjen e kufizimeve dhe rihapjen e fluturimeve ndërkombëtare pas muajit maj, kompania ajrore Easy-Jet raportoi një rritje të jashtëzakonshme të prenotimeve

Rezervimet e fluturimeve u rritën me 300% ndërsa prenotimet për pushimet verore u rriten me 500% brënda një jave.

Këto rezervime u kryen pavarësisht pasigurisë mbi kohën ekzakte se kur do të rihapen fluturimet ndërkombëtare.

Por një prej kushteve që pushuesit britanikë të shijojnë pushimet në plazhet europiane, do të jetë edhe heqja e karantinimit të detyrueshëm nga shtetet që ata do të vizitojnë.

Aktualisht, Franca dhe Spanja, i kanë mbyllur kufijtë për shtetasit britanikë për shkak të përhapjes së varianteve të reja të koronavirusit.

Shoqata ndërkombëtare e Transportit Ajror shprehet se certifikata dixhitale e vaksinimit ndaj Covid do të jetë gati brenda pak javësh.

Kjo leje-kalimi do të jetë në formën e një aplikacioni dhe do të verifikojë nëse pasagjeri i ka bërë testet ose vaksinën e nevojshme për të hyrë në një shtet tjetër.

Kompania ajrore “Singapore Airlines” ishte kompania e parë që ndërmori këtë nisëm gjatë muajit dhjetor.

Edhe kompanitë e Etihad, Emirates, Qatar Airways, Air New Zealand janë midis kompanive që po eksperimentojnë pasaportat e covid, për udhëtimet në rajonin e Azisë dhe Paqësorit.