Evropa

Vaksinimi në Evropë, radhë të gjata në Kroaci, Spanja ashpërsohen gjobat

Përditësimi i fundit: 23/02/2021 - 22:44
Text size Aa Aa

Radhë të gjata njerëzish në pritje për të marrë dozën e parë të vaksinës anti-COVID u verifikuan në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, ku një fushatë masive injektimi mori jetë ditën e martë.

Nëse gjithçka shkon sipas planit të hartuar nga autoritetet shëndetësore, 17 mijë banorë të qytetit mund të marrin dozën këtë javë.

Mes personave që po ndihmojnë në këtë proces është edhe bashkëshortja e presidentit Zoran Milanović, që është epidemiologe.

“Ajo që dimë për të gjitha vaksinat, pa përjashtim, është se çdo dozë që merrni do t’ju mbrojë ju nga shtrimi në terapinë intensive, nga furnizuesit me oksigjen dhe, mos e dhëntë Zoti, nga një rezultat fatal. Mendoj se është në interesin e gjithkujt”, thotë Sanja Musić Milanović, epidemiologe.

Ndërkohë, në Portugali, një ekip i dytë mjekësor i ushtrisë gjermane mbërriti në Lisbonë të martën, për të ndihmuar në mjekimin e pacientëve në terapi intensive. 8 mjekë gjermanë dhe 18 infermierë do të zëvendësojnë grupin e mëparshëm që mbërriti në vend në fillim të shkurtit. Ekipi gjerman është vendosur në një spital privat në zonën e kryeqytetit.

“Ngrohtësia dhe shpresa me të cilat ne i presim ekipet gjermane nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se shërbimet shëndetësore kanë nevojë për ndihmë”, shprehet Catarina Sarmento, zëvendës ministre e Mbrojtjes, Portugali.

Në Spanjë ndërkohë, qeveria rajonale e Galicias, në veri-perëndim të vendit, ka njoftuar se vaksina do të jetë e detyrueshme për të gjithë 2.7 milionë banorët e saj dhe se gjobat për ata që nuk zbatojnë rregullat do variojnë nga 1 mijë deri në 60 mijë euro.