Ndarja e papritur nga jeta e David Sassoli ka lënë një boshllëk të dhimbshëm në Parlamentin Evropian, i cili duhet të vijojë punën.
Një pasardhës eventual ishte parashikuar më herët dhe pritet të zgjidhet sipas planit.
Kështu, gjatë seancës së ardhshme plenare, ditën e martë, një votim do të mbahet për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Në janar Parlamenti Evropian arriti gjysmën e rrugëtimit. Për këtë arsye duhet të ripërtërihen postet menaxhuese të tij. Ndaj, javën e ardhshme në Strasburg, Parlamenti duhet të zgjedhë personin që do pasojë Sassoli-n dhe në të njëjtën kohë zëvendës presidentin e institucionit. Më vonë është radha e komisioneve parlamentare”, tha Jaume Duch, zëdhënës i Parlamentit Evropian.
Çështjet aktuale do të menaxhohen nga zëvendës presidentja Roberta Metsola, e cila po zëvendëson përkohësisht Sassoli-n.
Ajo është zëdhënëse e PPE-së dhe kandidatja më e përshtatshme për të plotësuar vakancën.
Por ka edhe opsione të tjera si euro-deputetja Alice Bah Kuhnke, nga të Gjelbërit. Ajo beson se Parlamenti Evropian duhet të jetë në qendër të zhvillimeve.
“Ne duhet të ulemi me përfaqësuesit e Komisionit dhe Këshillit Evropian dhe të sigurohemi që ata të kuptojnë se ne, ligjvënësit e BE-së, nuk mund të përjashtohemi nga procesi i formimit të së ardhmes së qytetarëve evropianë”, tha Alice Bah Kuhnke.
Në garë janë gjithashtu Sira Riego, nga e Majta dhe Kosma Zlotoswski nga grupi i konservatorëve dhe reformistëve.