Qeveria e re bullgare miratoi të mërkurën një projektligj që synon heqjen e ‘pasaportave të arta’, një program që u mundëson njerëzve të marrin nënshtetësinë në këmbim të investimeve të mëdha.
Komisioni Evropian ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për këtë praktikë dhe ka nisur marrjen e masave kundër Maltës dhe Qipros lidhur me të.
Ai konsideron se një praktikë e tillë paraqet rreziqe për BE-në, të cilat në veçanti lidhen me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe korrupsionin.
Në qershor 2021 Brukseli u dërgoi një letër autoriteteve bullgare duke u kërkuar atyre që të shfuqizojnë aplikimin e pasaportave të tilla.
Të huajt që investojnë shumën minimale prej një milion leva (500,000 €) mund të marrin një titull rezidenti të përhershëm në Bullgari.
Për dyfishin e kësaj shume, ata mund të marrin shtetësinë pa kaluar nëpër fazat procedurave tradicionale. Por qeveria zbuloi parregullsi në 47 raste, pothuajse gjysma e totalit.
Kabineti i kryeministrit Kiril Petkov, i cili ka marrë detyrën që nga mesi i dhjetorit, tha se do t’i jepte fund praktikës për shkak të mungesës së investimeve reale në ekonomi, që mund të çojë në krijimin e vendeve të punës.
Projektligji, i mbështetur nga një pjesë e madhe e klasës politike, ende nuk është miratuar nga parlamenti