Mbretëria e Bashkuar raportoi për afro 400 vdekje të reja nga COVID, dita e dytë me radhë që shifra ditore ka arritur nivelin më të lartë në 11 muaj.
Ky raport nuk ishte regjistruar që nga 24 shkurt 2021, kur ishin raportuar 442 vdekje. OBSH paralajmëron se nuk duhet menduar që pandemia po përfundon, pasi Omicron mbetet ende një rrezik.
“Ndërsa Omicron shkakton sëmundje më pak të rënda se Delta, ai mbetet një virus i rrezikshëm, veçanërisht për ata që janë të pavaksinuar”, u shpreh Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i OBSH-së.
Danimarka do të ofrojë dozë e katërt te vaksinimit kundër coronavirusit për qytetarët më vulnerabël pasi përballet me numra rekord të infeksionit nga varianti Omicron. Megjithatë, Rregullatori i Barnave të Bashkimit Evropian ka shprehur dyshime për nevojën për një dozë të katërt dhe tha se aktualisht nuk kishte të dhëna për të mbështetur këtë qasje.
Zvicra do të përgjysmojë kohën e karantinës në pesë ditë për të ndihmuar në menaxhimin e kësaj vale të pandemisë që po kërcënon ekonominë. Reduktimi hyn në fuqi nga kjo e enjte. Qeveria e mbështet këtë plan sepse varianti Omicron ka një kohë të shkurtuar midis infektimit dhe transmetimit.
Në Francë shkollat kanë mbyllur dyert pasi pritet të zhvillohet një greve mbarëkombëtare. Mësuesit janë të frustruar dhe thonë se ka ndryshime të vazhdueshëm të rregullave anti-COVID. Kërkesat e testimit dhe izolimit për rastet e mundshme COVID po ndërpresin orët e mësimit duke e bërë atë të pamenaxhueshëm.