Kryeministrit britanik Boris Johnson iu desh t’i përgjigjej pyetjeve ne Parlament për festat e organizuara në “Downing Street” në kohën e kufizimeve te COVID-19. I pyetur nëse do të jepte dorëheqjen, Johnson ripërsëriti ndjesën e tij dhe u kërkoi deputetëve të prisnin rezultatin e hetimit zyrtar.
Zbulimi për festat që u mbajtën në Downing Street gjatë masave kufizuese të COVID -19 po kërcënojnë mbijetesën politike të kryeministrit Boris Johnson
I pyetur nëse do të jepte apo jo dorëheqjen gjatë seancës së sotme parlamentare Johnson deklaroi se nuk do ta bënte një gjë të tillë.
“Jo zoti kryetar, por mund të them se ashtu siç deklarova javën që shkoi, unë kërkoj ndjesë të sinqertë për çdo gjykim të gabuar, por opozita duhet të bëjë durim dhe të presë për përfundimin e raportit që do publikohet javën e ardhshme, para se të dalë në përfundime të njëanshme”, u shpreh Johnson.
Përveç opozitës, Johnson po përballet edhe me një “revoltë” nga deputetët e partisë së tij, të cilët i konsiderojnë të papranueshme festat gjatë karantinës.
Johnson, i cili arriti të fitonte zgjedhjet me numrin më të madh të votave në 30 vitet e fundit për Partinë Konservatore, ka kërkuar disa herë falje për pjesëmarrjen në festa teksa është shprehur se nuk ishte në dijeni mbi shumë prej tyre. Megjithatë, ai mori pjesë në atë që ai mendonte se ishte një takim pune në maj të 2020-s, kur e gjithë Britania e Madhe ishte nën masa të rrepta karantinimi.