Presidenti francez Emmanuel Macron është zotuar se do ta bëjë Bashkimin Europian më të fortë gjatë 6-mujorit të mbajtjes së presidencës nga vendi i tij, por është akuzuar nga rivalët se po shfrytëzon këtë moment për të mbledhur vota për zgjedhjet e ardhshme.
Në një fjalim të gjatë të mbajtur para Parlamentit Evropian në Strasburg Macron ka detajuar prioritetet e presidencës 6 mujore të Francës, i përqendruar kryesisht në çështjet e klimës.
Por në Francë, këtë moment e lidhin me zgjedhjet e 10 prillit ku Macron pritet të garojë për një tjetër mandat.
Ligjvënësi francez, Yannick Jadot i cili do të jetë pjesë e garës presidenciale, e akuzoi Macron për inkoherencë, teksa i kujtoi se me gjithë fjalimin e bukur të mbajtur në PE, ai ka qenë për 5 vjet në pushtet gjatë të cilit do mbahet mend si presidenti i mungesë së aksioneve ndaj klimës.
Europarlmentari i ekstremit të djathtë, Jordan Bardella, anëtar i partisë së Marine Le Pen, gjithashtu kandidate për presidencën, tha se Macron nuk mund të sillte bashkimin e Europës kur ka kontribuar vetëm në përçarjen e Francës gjatë mandatit të tij.
“Për Francën dhe Europën e rëndësishme është që mandati yt të mbarojë këtu”, u shpreh Jordan Bardella.