Fotografi

FOTOGALERI l Pranverë e çlirueshme njerëzish nga Fatjeta Muriqi

Përditësimi i fundit: 09/05/2020 - 17:39
Text size Aa Aa

Fatjeta Muriqi është një sipërmarrëse nga Shkodra e cila përtej biznesit të saj, i kushton kohë dhe dashuri të madhe pasionit për fotografinë.

Në faqen e saj Facebook, ajo publikon rregullisht fotografi të shkrepura prej saj me tematika të ndryshme si profile, peizazhe, natyrë, me ngjyra, bardhë e zi, por dhe përditshmëri dhe aspekte urbane të jetës, kryesisht në Shkodër.

“Kur isha 15-vjeçe më ra në dorë një aparat fotografik. Uh! Çfarë pasurie! Në atë moshë kur nuk ke asgjë tënden, përveç problemeve të adoleshencës, të fiksosh kohën, momentet e situatat e ndryshme, të duket gjithçka,” – thotë ajo për Euronews Albania.

“Të fotografosh, është si çdo krijim tjetër, nuk mundesh ta bësh si punë, unë e bëj për qejf”

“Ndër vite pastaj investova duke shpenzuar mjaftueshëm në pajisje, me aparate analogë, gjysmë-analogë apo dhe profesionalë, ato ishin pasuria ime,” – kujton ajo me emocion ndërsa shton me ironi se tashmë gjërat janë ndryshuar disi me zhvillimin e celularëve.

Natyra, fëmijët, momentet dhe lojërat e dritës së qiellit, ngjyrat e ujit të liqenit të Shkodrës janë pikë e dobët e syrit të saj prej fotografe.

Me modesti shprehet se “nuk di të kapë portrete njerëzish” dhe thotë se ata që e kanë plan të parë të punës së tyre fotografimin e shprehive njerëzore në fytyrë “janë fort të zotë”.

Dy muajt e fundit, për shkak të pandemisë së COVID-19, Fatjeta e ka përqendruar syrin e saj për fotografi te pranvera, ndryshimet e kohës dhe të njerëzve të qytetit.

Albumin e fotove e ka quajtur "Pranverë e çlirueshme njerëzish".

Euronews sjell më poshtë disa prej fotografive, të cilat mund t’i gjeni edhe në profilin e saj Facebook.

 

Tregime të lidhura