Ilva Now

Aneta Wollter: Nuk rrezikohet qeveria, asnjë parti në Gjermani s’bën koalicion me të djathtën ekstreme

Përditësimi i fundit: 10/02/2020 - 20:13
Text size Aa Aa

Në një lidhje live me studion e Ilva Now, Aneta Wollter, anëtare e kryesisë së CDU, tha se vendimi i znj. Annegret Kramp-Karrenbauer për të hequr dorë nga kreu i partisë dhe rrjedhimisht nga kandidimi si kancelare e ardhshme, ishte një veprim shumë i papritur, që i kishte lënë pa fjalë të gjithë në kryesinë e CDU.

Ajo tregoi mesazhet që znj. Karrenbauer iu kishte dërguar përmes një letre të hapur të gjithë anëtarëve të kryesisë, një ndër të cilat ishte edhe kërkesa që kryetari i partisë dhe kandidati për kancelar të jenë një dorë, si e vetmja mënyrë sipas saj për të mbajtur të unifikuar partinë.

Teksa nuk mohoi faktin se brenda CDU ekzistojnë disa rryma të ndryshme, znj. Wollter u shpreh e bindur sa i përket të ardhmes së koalicionit të madh qeveritar, i cili sipas saj ka qenë shumë herë në prag të ndarjes, por ka mbijetuar.

Sa i përket rrezikut të AfD dhe ekstremit të djathtë në Gjermani, znj. Wollter u shpreh se rreziku i të djathtës ekstreme është real, por shtoi se të gjitha partitë në Gjermani e kanë në programin e tyre që nuk do të bashkëpunojnë me AfD.

“Rreziku është real, por AfD nuk ka marrë zgjedhës vetëm nga CDU, por edhe CSU madje edhe nga të majtët. Sidomos në lindje, situata është më e komplikuar. Të gjitha partitë politike në Gjermani e kanë në programin e tyre që nuk do të bashkëpunojmë me AfD”, - tha znj. Wollter.

Tregime të lidhura