Ilva Now

Amnistia fiskale, Elton Haxhi: Skema të menaxhohet përmes rregullave të vetingut

Përditësimi i fundit: 05/03/2020 - 20:42
Text size Aa Aa

I ftuar në studion e Ilva Now, z. Elton Haxhi, ish-zv.minister i Financave foli për amnistinë fiskale të propozuar nga kryeministri Edi Rama.

“Hera e fundit që është tentuar ka qenë viti 2011. Ligji i asokohe kishte shumë elementë pozitivë të amnistisë fiskale, por nuk arriti të adresonte amnistinë edhe për akuza penale, pra u kufizua vetëm në mos ngritjen e akuzave nga organi tatimor por jo nga organe të tjera ligjzbatuese. Për të bërë një amnisti funksionale është i nevojshëm edhe ky element. Gjithashtu, konfidencialiteti që duhet të sigurohet për aplikuesit dhe çfarë do ndodhë të nesërmen me riskun që kanë ata tatim pagues për efekte të kontrollit të ardhshëm tatimor” - e nisi fjalën z. Haxhi.

Sipas tij, mënyra më e mirë për të menaxhuar situatën është të ngrihet një strukturë e posaçme për menaxhimin e skemës dhe të ndjekë edhe rregullat e vettingut, siç është bërë për strukturat e tjera”, -thotë ai. 

Z. Haxhi tha se amnistia dhe vetëdeklarimi sipas të gjithë praktikave të vendeve të tjera, nuk duhet të ndikojë në riskun e tatim paguesit në të ardhmen, përndryshe niveli i aplikimeve do të jetë më i ulët.

I pyetur për rastet e personave që kanë pasur probleme me ligjin dhe i kanë nga krimi këto para, z.Haxhi tha se çdokush paraqitet, nuk e jep emrin, paraqet faktet, merr sigurinë po ose jo dhe nuk ka asgjë të keqe nëse nuk e jep emrin dhe çështja mbyllet. Kjo është amnistia. Programet e suksesshme të deklarimit vullnetar janë të tilla.

“OECD-ja ka bërë një shqyrtim të rasteve në disa vende dhe ka cilësuar se konfidencialiteti është një element shumë i rëndësishëm”, tha ai.

Në vijim z. Haxhi cilësoi se siç e ka përmendur edhe kryeministri, ka disa kritere që vendosin nëse e përfiton amnistinë ose jo dhe në bazë të tyre, ka një grup personash që nuk e përfitojnë teksa shtoi këtu se në momentin që amnistia pranohet, personi duhet ta deklarojë emrin dhe se konfidencialiteti vlen vetëm për fazën e parë.

Për sa i përket parave që qarkullojnë jashtë sistemit, që nuk janë bërë nga veprimtari kriminale ose korrupsioni, z.Haxhi tha se është e vështirë të dallosh evazionin e pastër dhe krimin.

“Një shifër që qarkullon është 2.5 miliardë në vit, por nuk mund ta ndajmë se sa vjen nga krimi dhe se sa vjen nga puna e ndershme.

Detajet dhe informacionet e shkruara prej tij janë udhëzime të OECD-së, janë të publikuara dhe është mirë që të ndiqen. Afati kohor për aplikuesit është 6 deri në 9 muaj, të paktën sipas vendeve të tjera. U duhet lënë kohë qytetarëve dhe bizneseve, të marrin informacion dhe të kryejnë procedurat e nevojshme”, sqaroi z. Haxhi.

Një tjetër element i rëndësishëm për t’u përmendur sipas tij janë gjobat.

“Të gjitha vendet që kanë bërë programe të deklarimit vullnetar bëjnë ulje ose fshirje të gjobave ose interesave, përndryshe skema nuk funksionon. Skema duhet të inkurajojë ata që ende nuk e kanë bërë deklarimin por nga ana tjetër, nuk duhet të jetë dekurajues për ata që kanë deklaruar në afat dhe kanë paguar detyrimet sipas ligjeve që ka shteti në fuqi. Pra, duhet krijuar një balancë dhe të ruhet morali i taksimit”, sqaroi z. Haxhi.

Tregime të lidhura