Ilva Now

Basha për Euronews Albania: Plani i PD për COVID-19, nuk është sulm politik kundër Ramës

Përditësimi i fundit: 17/03/2020 - 20:02
Text size Aa Aa

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një lidhje live me studion e Ilva Now në Euronews Albania theksoi se propozimet e PD për të përballuar krizën që po përjeton vendi për shkak të coronavirusit janë konkrete, të implementueshme dhe të llogaritura nga ekspertët më të mirë.

Teksa refuzoi çdo lloj debati politik me kreun e qeverisë, kryedemokrati theksoi se sot beteja është për shëndetin dhe jetën e qytetarëve dhe fokusi i opozitës është të japë ndihmën e vet për këtë çështje jetike në kohë pandemie botërore.

Z. Basha tha se plani social-ekonomik i propozuar nga PD është konkret dhe i kalkuluar nga ekspertët më të mirë të ekonomisë. Sipas tij, Shqipëria me gjithë kufizimet e veta krahasuar me vendet e tjera, e ka plotësisht të mundur implementimin e këtij plani që do t’i vinte në ndihmë në radhë të parë bluzave të bardha, shtresave në nevojë dhe biznesit të vogël për ta përballuar situatën.

“Propozimi ynë është i plotë, i kalkuluar nga ekspertët më të mirë. Nuk dua të humbas kohë, por t’i përsëris thirrje që pa humbur kohë të alokojë masat që nuk janë shpikje e PD, sigurisht brenda mundësive të Shqipërisë. Në këtë kohë s’mund t’i kërkohet sakrifica vetëm shqiptarëve.  Kemi 120 mln euro koncesione të oligarkëve që duhet të kalojnë për përballimin e krizës. 50 për qind e popullsisë është në gjendje të vështirë eknomike edhe para se të binte epidemia.

Pa diskutim edhe në Shqipëri do ketë pasoja ekonomike. Para disa ditësh Këshilli i Bankës së Shqipërisë adopotoi një masë duke shtyrë këstin e kredive dhe kam besim se bankat e nivelit të dytë do veprojnë me vetëdije njësoj. Të gjithë jemi bashkë në këtë varkë dhe të gjithë duhet të bëjmë gjithçka që të dalim shëndoshë e mirë.

Paketa e PD ka prioritet shëndetësinë, shtresat në nevojë dhe ekonominë, biznesin e vogël. Disa propozime janë adoptuar nga qeveria, pavarësisht sulmeve, si ai për pagesën për një nga prindërit që do qëndrojë me fëmijët, për pagesat e njerëzve që nuk do të mundet të shkojnë në punë. Por s’ka asnjë pengesë që pa vonesë të veprojmë sot për t’i dhënë ndihmë ekonomisë”, - tha z. Basha teksa i kërkoi kryeministrit që të pranojë sugjerimet e PD.

Tregime të lidhura