Ilva Now

U diagnostikua me COVID-19, rrëfimi i mjekut nga Dibra e Madhe: Kam frikë vetëm për nënën e moshuar, uji ilaçi më i mirë

Përditësimi i fundit: 18/03/2020 - 19:25
Text size Aa Aa

Në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, mjeku nga Dibra e Madhe, Arben Agolli rrëfeu se si u infektua me COVID-19 teksa iu shërbente pacientëve në spital.

Z. Agolli, ju falenderoj shumë që po flisni për Euronews Albania dhe jeni në këto momente në orë të vështira për ju, besoj dhe për pacientët e tjerë atje dhe po na jepni minuta nga dita juaj e punës. Jeni ende në punë apo jeni në karantinë?

Ju faleminderit për ftesën. Jo, unë prej dje, mbasi rezultova pozitiv në testin për coronavirusin, e mbylla shërbimin dhe jam në shtëpi, në izolim shtëpiak.

Si është gjendja juaj shëndetësore?

Fatmirësisht jam mirë, nuk kam asnjë shenjë klinike, ndjehem shumë mirë. Edhe tre infermierët që punojnë me mua janë gjithashtu mirë, edhe kolegu që është bashkë me mua. Faktikisht të pestë ndihemi mirë.

Kur e kuptuat që mund të kishit shenja që lidheshin me COVID-19, mund të ishit infektuar?

Më datë 7 mars, në ordinancë kishim pacientë të cilët pastaj rezultuan që dolën pozitivë dhe nga aty na lindi dyshimi edhe ne të punësuarve. Kështu që e pamë të arsyeshme në bisedë me mjekun epidemiolog të Dibrës t’i nënshtrohemi testimit. I pari u testua kolegu im, i cili në fakt edhe e bëri vizitën e djalit të sëmurë. Në fakt, djali nuk rezultoi pozitiv, rezultuan prindërit. Kështu që shenjat e para si këputje, molisje, i manifestoi kolegu dy-tri ditë pas vizitës. Ne e pamë të arsyeshme që kolegu të rrijnë në shtëpi dhe vazhdova unë t’i mbaja të dy turnet. Duke qenë të vetëdijshëm se edhe mund të jemi prekur, insistuam i bëmë testet për COVID-19. Kolegu e bëri pak më herët, rezultoi poztiv, ne e bëmë pardje dhe dje morëm rezultatin se jemi pozitivë.

Doktor Agolli, a përdornit ju masa mbrojtëse, veshje të posaçme gjatë kohës që ishit në punë? Si e shpjegoni që jeni infektuar?

Mjerisht përdornim vetëm maskën, atë që e shihni tani që aktualisht unë e mbaj në shtëpi këtu për shkak të nënës sime dhe zonjës sime, përdornim dorashka dhe kapele, por masa mbrojtëse më të sofistikuara nuk kemi.

Si mendon që e ke marrë virusin?

Puna është se përderisa ne punojmë, jemi në linjën e parë të frontit me të sëmurët, normal që edhe pritej që mund të infektohemi, edhe përkundër përpjekjeve për t’u mbrojtur vazhdimisht duke larë duart, vazhdimisht duke dezinfektuar, por ja që ndodh të infektohemi.

Ndërkohë, në Dibër të Madhe ka edhe rreth 20 pacientë të tjerë me coronavirus përveç stafit mjekësor, kush do të kujdeset tani për ta. Mjafton stafi mjekësor?

Kemi, nga klinika e sëmundjeve infektive është një mjek, sot mora informacion se kanë ardhur edhe dy mjekë pneumologë,  por kemi nevojë edhe për një mjek epidemiolog, pasi aktualisht kemi vetëm një.

Si është gjendja e pacientëve të prekur? A ka nga ata që janë në gjendje të rëndë dhe po luftojnë?

Aktualisht në Dibër unë dhe kolegët e mi rezultuam të jemi mirë, nuk kemi asnjë shenjë klinike. Na u rekomandua që të rrimë në shtëpi, në mjekim shtëpiak në mënyrë që të jemi në kontakt të vazhdueshëm me ekipin. Vetë fakti që jemi punonjës shëndetësorë na jep një përparësi të kujdesemi, dimë se çfarë është sëmundja ngjitëse, dimë se si duhet të veprohet. Kështu që do t’ja dalim, nuk e kemi shumë të vështirë.

A keni frikë doktor Agolli?

Jo, nuk ka frikë, për vetë faktin se është një virozë. Kemi pasur dhe viroza të tjera. Unë mund t’ju jap një fakt për shembull: nga fillimi i muajit janar deri më datë 5 mars ne kemi pasur rreth 3 mijë vizita, kryesisht pediatrike që kanë qenë për viroza dhe nuk ka pse të frikësohem. Unë më shumë frikësohem për fatin e nënës time, se ajo është në moshë të shtyrë pak, për atë mërzitem, për vete jo.

Ndërkaq, pak minuta më parë presidenti Pendarovski ka shpallur edhe gjendjen e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut. A ka pritshmëri për një përhapje të mëtejshme të coronavirusit në Maqedoninë e Veriut?

Vendimi që mori presidenti, me siguri pas sugjerimeve të ekspertëve, për arsye se tani virusi është përhapur, nuk është vetëm në Dibër, ka raste në Shkup, ka raste edhe në Strugë, që do të thotë se dalëngadalë po merr përmasa.

A ka kapacitet sektori i shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut të përballet me një shpërthim edhe më të madh?

Klinika e sëmundjeve infektive ka ekspertë shumë të mirë, ka kapacitete dhe shtretër të mjaftueshëm, edhe kolegët e mi në Dibër janë mjekë të dalluar. Edhe unë jam i gatshëm të ndihmoj sa të mundem.

Doktor Agolli, çfarë ju kanë rekomanduar dhe ju si mjek vetë, çfarë do merrni nëse keni shenja dhe fillon virusi t’ju japë shqetësime?

Profesorët e klinikës më morën në telefon dhe më dhanë sigjerime për mundësinë e mjekimit. Për momentin jemi duke marrë pak vitaminë D3, vitaminë C në dozë më të lartë, plus kuptohet rekomandohet sa me shumë lëngje dhe rekomandohet që çdo gjysmë ore të pihen 2-3 gota ujë se uji është ilaçi më i mirë për shkak se virusi shtresohet në pjesën epiteliale të fytit, të bajameve, kështu që me ujë virusin e nxjerr poshtë në stomak dhe thartira e stomakut e shkatërron atë.

Ndërkohë, keni shenja vetë, pasi të paktën sipas studimeve që ka bërë OBSH me mjekët kinezë temperatura është një nga shenjat e para që ka shumica, më pas djegia e fytit?

Jo, nuk kam asnjë lloj shenje. Sot ekipi ishte tek unë në shtëpi, iu mori strisha familjarëve të mi. Do presim nesër rezultatet, shpresoj të më dalin negativë, se po dolën pozitivë do më prishë punë pak nëna që e ka imunitetin pak të dobët, por unë jam në shtëpi, do kujdesem për të.

Pra, frika juaj më e emadhe e momentit është se ndoshta në kohën kur nuk e dinit që ishit i infektuar keni infektuar edhe nënën tuaj?

Po, edhe përkundër faktit që prej 2 muajsh unë vazhdimisht punoj me maskë dhe dorashka, por ja që ndodhi të infektohem dhe unë merakun më të madh e kam për nënën time.

Doktor Agolli, ju falenderoj shumë dhe ju uroj shëndet të plotë, ta kaloni sa më parë këtë virus dhe pa shqetësime.

Ju porosis të kujdeseni për veten, nuk duhet të keni frikë, nuk duhet të bëni panik, por kudes duart. Ju faleminderit.

Faleminderit dhe shëndet për të gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen.

Tregime të lidhura