Ilva Now

Ambasadori kinez në Tiranë: Miku i mirë në ditë të vështira, Kina do ta ndihmojë Shqipërinë

Përditësimi i fundit: 19/03/2020 - 20:40
Text size Aa Aa

Ambasadori i Kinës në Tiranë, z. Zhou Ding tha gjatë një interviste me gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania se Shqipëria ka provuar miqësinë e vet për Kinën në ditë të vështira dhe se kjo miqësi e mirë do t’i rikthehet.

“Unë gjithmonë kam mbajtur komunikim të ngushtë ne qeverinë shqiptare, në veçanti me kryeministrinë dhe ministrinë e Shëndetësisë. Në ditët e vështira të epidemisë në Kinë, Presidenti Meta, Kryeministri Rama, kryeparlamentari Ruci u dërguan letra solidariteti udhëheqësve kinezë. Madje kryebashkiaku i Tiranës Veliaj organizoi një aktivitet solidarizimi në një nga restorantet kineze në Tiranë  në bashkëpunim me ambasadën kineze për luftën kundër pandemisë,” deklaroi z. Ding në studion e Ilva Now.

Diplomati iu referua proverbave për të dhënë shembullin e miqësisë së mirë shqiptaro-kineze.

 “Të gjitha këto e vërtetojnë fjalën e urtë shqiptare. Miku i mirë njihet në ditë të vështira. Tashmë që Shqipëria kërcënohet nga pandemia ne do të qëndrojmë në krah të popullit shqiptar. Dhe në shumë raste i kemi dërguar të dhëna Ministrisë së Shëndetësisë ISHP-së dhe medias shqiptare gjetjet më të fundit në lidhje me hulumtimet mbi COVID-19, të parandalimit, kontrollimit dhe shërimit nga virusi,” tha ambasadori.

Ai shtoi se sot është organizuar një video konferencë me pjesëmarrjen e të gjithë ekspertëve të fushave të ndryshme, mjekëve shqiptarë dhe kinezë për të ndarë eksperiencat e tyre në lidhje me luftimin e pandemisë.

Pyetur lidhur me kërkesën për ndihmë nga pala shqiptare, ambasadori u përgjigj optimist.

“Pala kineze po e studion atë dhe jam i bindur se do të ketë një përgjigje pozitive. Në fakt deri tani kanë bërë një kërkesë të ngjashme sidomos ato vende në gjendje më të rëndë, si Italia, Spanja, Irani, Koreja  e  jugut dhe Japonia. Por Kina dhe Shqipëria gëzojnë një miqësi tradicionale dhe shpresojmë që pas kësaj situate kjo miqësi do të thellohet edhe më shumë,” u shpreh diplomati.

 

Lexoni gjithashtu

Si ia doli Kina të frenojë coronavirusin, ambasadori kinez në Tiranë ndan eksperiencën në Euronews Albania

Na u desh dy muaj ta përmbanim coronavirusin në Kinë, ambasadori Zhou Ding këshillon shqiptarët si të ruhen

 

Tregime të lidhura