Ilva Now

Mjekja shqiptare në San Marino: Moshat më të prekura nga coronavirusi, 30-65 vjeç. Sëmundja luftohet me terapi, jo me vitaminë C

Përditësimi i fundit: 19/03/2020 - 20:43
Text size Aa Aa

Në një lidhje 'live' me Ilva Now, Silva Shametaj Ruli, mjeke drejtuese në departamentin e pneumologjisë geriartrike në Republikën e San Marinos tha se coronavirusi është ende një e panjohur për mjekësinë, pasi është hera e parë që identifikohet tek njeriu.

Duke u nisur nga përvoja e Italisë, por edhe më gjerë, mjekja shpjegoi se të gjitha moshat preken nga ky virus, ndryshon vetëm graviteti i shfaqjes së sëmundjes.

Fashat moshore më të prekura nga ky virus janë 30-65 vjeç, të cilët sipas saj përbëjnë 86 për qind të të sëmurëve në Itali.

“Pacientët e moshuar janë ata që manifestojnë sëmundjen në gjendjen më të rëndë dhe numri i vdekjeve është më i madh mbi 80 vjeç, por të infektuar në 86 për qind janë moshat 30-65 vjeç. 1-3 për qind është tek fëmijët dhe të moshuarit. Mendohet se mosha mesatare në Itali është më e lartë se në vendet e tjera. Ky mund të jetë një nga faktorët që numri i vdekjeve në Itali është më i madh”, tha ajo.

E pyetur lidhur me rolin që ka në këtë situatë përdorimimi i vitaminës C apo agrumeve që e përmbajnë atë si portokalli, mjekja tha se ky është një mit që i duhet lënë popullit, pasi patologjia nuk kurohet me agrume.

“Ka shumë mite për kurën e gripit me lëngje agrumesh, është mit që ia lëmë popullit. Nuk kurohet patologjia me agrume, por me terapi dhe njohjen e patologjisë. Në sistemin imunitar në këtë moment këshillojmë të kemi besim të plotë tek kategoria e mjekëve, të cilët po studiojnë evoluimin e kësaj sëmundjeje. Përpara vitaminës C, është mirë që njerëzit të adaptojnë mentalitetin e tyre me një mënyrë të re të jetuari, të izolimit, që është gjëja më e rëndësishme.

Ka filluar studimi për vaksinimin, por do shumë kohë të dalë dhe nuk e dimë ende të themi se sa mund të zgjasë. Çdo gjë varet sa do ta bëjë të vetëm shoqëria, është përgjegjësi komunitare, duhet të respektojmë izlolimin”, këshilloi mjekja.

Tregime të lidhura