Ilva Now

A rrezikon Shqipëria krizë ushqimore? Ahmetaj: Kemi mbi 1 muaj e gjysmë rezerva

Përditësimi i fundit: 20/03/2020 - 22:21
Text size Aa Aa

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj përjashton çdo mundësi që Shqipëria të përballet me krizë ushqimore. Kjo tha z. Ahmetaj vjen për shkak se aktualisht vendi ka rezerva për më shumë se një muaj dhe nga ana tjetër importi i produkteve ushqimore vijon normalisht.

“Ne kemi mbi një muaj e gjysmë rezervë ushqimore nga të gjitha bisedat që kemi pasur me bizneset që bëjnë furnizime të ushqimeve. Furnizime nga jashtë dhe nga brenda vazhdojnë normalisht”, u shpreh ministri gjatë intervistës për Euronews Albania.

I pyetur nëse Shqipëria është e rrezikuar nga prishja e rendit kushtetuese, ministri tha se rendi kushtetues është i garantuar.

“Rendi kushtetues në Shqipëri është i garantuar. Kam parë pamje në supermarke në vende që i marrim si shemb të tmerrshme. Asgjë, jam krenar që jam shqiptar”, tha ai.

Z. Ahmetaj përjashtoi dhe mundësinë e rritjes së taksave, por nuk dha të njëjtën përgjigje për mundësinë e rritjes së çmimeve.

Rritje taksash jo, rritje çmimesh mund të ketë të fragmentuara ose të izoluara, sepse çmimi është reflektim i kërkesës dhe ofertës”, deklaroi ai.

Për mundësinë e zhvlerësimit të lekut, z. Ahmetaj u përgjigj se, nuk ka asnjë shenjë se një gjë e tillë do të ndodhi.

“Nuk po bëj profetin dhe të them nuk do të ketë, por unë mendoj me atë që shoh, që nuk do të kemi zhvlerësim të lekut”, tha ministri i Rindërtimit.

I pyetur nga gazetarja Ilva Tare se çfarë kishte parasysh Kryeministri kur foli për “skenarin e Turqisë”, z. Ahmetaj u përgjigj: Nuk ka skenar Turqie, Kryeministri është në kontakt me Presidentin Erdogan dhe dje ka pasur një diskutim të gjatë për ndihmën e mundshëm nga Turqia.”

Përveç Turqisë, ndihmë konkrete Shqipëria i ka kërkuar dhe Kinës. “Ministria e Shëndetësisë është në diskutime me institucione kineze që mund të kenë mundësi që të na ndihmojnë por nuk është aq e thjesht që të na vijnë menjëherë”, tha z. Ahmetaj.

Tregime të lidhura