Ilva Now

Partitë, më të korruptuarat në rajon, Majlinda Bregu dhe Lutfi Dervishi: Duhet demokratizim

Përditësimi i fundit: 24/06/2020 - 19:59
Text size Aa Aa

Qytetarët e Ballkanit Perëndimor i konsiderojnë partitë politike si organizatat më të korruptuara. Është ky rezultati i Barometrit të Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal për 2020, një anketë vjetore që analizon prishtmëritë dhe aspiratat për çështje si punësimi, zhvillimet politike, social-ekonomike dhe integrimi rajonal dhe evropian.

83% e personave të pyetur mendojnë se partitë politike janë më të korruptuarat, një rritje 6% nga barometri i vitit të kaluar. Sistemi gjyqësor vjen i dyti, me 80% të qytetarëve që e shohin si të korruptuar, ndërsa nuk mungojnë shqetësime për korrupsionin në nivele të larta edhe në dogana, shërbimin shëndetësor dhe në parlament. Sipas gjetjeve të barometrit, 71% e qytetarëve në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë të kënaqur me përpjekjet e qeverive të tyre për të luftuar korrupsionin, një rritje drastike nga 61% i vitit të kaluar.

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu thotë se, për herë të parë nuk kemi qeveritë apo sistemin gjyqësor në krye të listës së institucioneve më të korruptuar. Por, ish-ministrja e Integrimit në qeverinë “Berisha”, sheh si problem dhe nivelin e lartë të qytetarëve që vlerësojnë si të korruptuar dhe median. Problem për znj. Bregu mbetet dhe largimi i të rinjve.

“Në mënyrë masive është rritur përqindja e të rinjve për t’u larguar nga vendi. Ka ulje të papunësisë, kjo lidhet me largimin e të rinjve dhe punëtorëve sezonale. Vazhdon të mbetet problem kryesor çështja ekonomike”, tha znj. Bregu.

Ndërsa për gazetarin, Lufti Dervishi shifra prej 83% e qytetarëve që vlerësojnë si të korruptuara partitë politike do të thotë se ka ardhur koha për të demokratizuar me ligj forcat politike.

“Qytetarë instinktivisht kanë vënë gishtin mbi plagë. Por, gjithashtu duhet folur dhe për median pasi 63% është alarmante. Problemi kryesor mbete demokratizimi i partive politike, që me sa duket ka ardhur koha të bëhet me ligj”, tha drejtuesi i emisionit “Përballë” në Radio Televizionin Publik.