Ilva Now

Digjitalizimi, një domosdoshmëri për një të ardhme të qëndrueshme për shoqërinë dhe biznesin

Përditësimi i fundit: 25/06/2020 - 20:39
Text size Aa Aa

Pandemia globale vuri në provë shoqërinë dhe ekonominë, ndërsa ndryshoi brenda pak kohësh mënyrën e jetesës në përgjithësi. Institucionet financiare vlerësojnë se ndikimi i saj në ekonomi do të jetë rrënjësor, por për rolin që luajti teknologjia në këtë situatë të pazakontë u diskutua më gjerësisht në emisionin Ilva Now.

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë z. Enio Jaço dhe drejtori ekzekutiv i Vodafone Albania, z. Achilleas Kanaris analizuan sfidat me të cilat po përballet biznesi dhe oportunitetet që ofron teknologjia për përballimin e sfidave.

“Vetëm gjatë këtyre dy muajve ne kemi bërë ndryshime të cilat nuk mund t'i kishim menduar për vite të tëra dhe për këtë mund t’ju jap edhe shembuj. Në kohë rekord, ne kaluam biznesin nga zero në 100% të punuarit nga shtëpia, përfshirë këtu edhe kolegët e shërbimit ndaj klientit. Askujt nuk mund t’i shkonte mendja që kjo gjë do të ishte e mundur. Por ja që ky është tashmë realiteti dhe ky realitet i ri po transformon bizneset me një ritëm tejet të shpejtë dhe unë besoj që edhe vetë qeveritë do të bëjnë të njëjtën gjë në këtë kohë. Çdo lëvizje ndodhi e detyruar nga pandemia, megjithatë po ndryshon mënyrën sesi ne tashmë po e bëjmë punën tonë, biznesin, por po ndryshon edhe mënyrën se si do të funksionojë ekonomia më pas, në epokën pas Covid-19”, tha z. Kanaris nga Vodafone Albania.

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë z. Enio Jaço tha se goditja ndaj bizneseve ka qenë e madhe, si tek të ardhurat edhe tek punësimi.

“Kemi një situatë që fatkeqësisht mendojmë se do të vazhdojë sepse COVID ka shenja që po përsëritet dhe pikërisht në këtë moment mendojmë se digjitalizimi është një mundësi, jo për të kaluar nga kriza por për të parë disa oportunitete,” deklaroi z. Jaço.

“Normaliteti i ri do të thotë se të gjithë bizneset duhet të përshtaten me një mënyrë tjetër të të punuarit që do të vazhdojë për një kohë disi të gjatë,’ shtoi presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Duke folur rreth nevojave që i lindën shoqërisë për shkak të goditjes së menjëhershme dhe të thellë të pandemisë, z. Achilleas Kanaris u shpreh se kompanive teknologjike iu shtrua detyra thelbësore për të krijuar mundësitë e mëdha dhe për të dyfishuar kapacitetet e veta duke qenë se njerëzit dhe aktivitetet u drejtuan nga teknologjia.

“Ne kemi ndjekur një program tonin, më të madhin në histori, që prej fillimit të Vodafonit. Kemi angazhuar pothuajse përgjatë kohës së Covid-19, rreth 4 milionë euro si investim total sepse kuptuam sa e rëndë ishte situata dhe sa e madhe ishte nevoja që qytetarët të kishin aksesin e duhur në teknologji,” deklaroi z. Kanaris.

Sipas drejtorit ekzekutiv  të Vodafone Albania, kompanitë u sfiduan të tregonin edhe mbështetjen ndaj shoqërisë dhe burimeve të tyre njerëzore.

“Kemi reaguar në 5 aspekte kryesore, kritike për ne. Së pari jemi përqendruar tek kolegët tanë, që të gjithë të ishin të sigurtë prandaj e kemi kaluar biznesin nga zero deri në 100% të të punuarit nga shtëpia. Së dyti, mbështetëm punësimin, në rreth tre mijë familje. Jo vetëm që nuk i ulëm rrogat por kemi vazhduar t’i paguajmë së bashku me shpërblimet apo bonuset e ndryshme, që familjet të kishin mundësinë e të ardhurave si më parë. Kemi punuar me rrjetet tona dhe qëndrueshmërinë e rrjetit. Trafiku i internetit në rrjetin tonë fiks u dyfishua në vetëm pak javë, prandaj na u desh të investonim në përmirësimin e kapaciteteve tona. Kemi punuar shumë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Arsimit, me dy projekte shumë të rëndësishme për të mbështetur mjekët dhe infermierët që kanë punuar në vijë të parë, por edhe 15 mijë fëmijë, nxënës që nuk kishin as mundësinë më minimale për të ndjekur shkollën online”, sqaroi ai.

Sipas ekspertëve digjitalizimi është e vetmja rrugë që i mbetet shteteve për një të ardhme të qëndrueshme drejt progresit.

“Do të isha optimist në aspektin e njerëzve, ne kemi një popullsi të re dhe kjo ndihmon shumë. Njerëzit janë të aftë adaptohen me teknologjinë e re, flasin gjuhë të huaja dhe kjo është gjë e mirë, por ky është një optimizëm i kushtëzuar në një farë mënyre. Që të jesh një optimist i plotë duhet të kemi dhe elementët e tjerë si infrastruktura, legjislacioni dhe shërbimet e tjera të digjitalizimit si faktor pozitiv dhe përparues,” u shpreh z. Jaço. 

Drejtori Ekzekutiv i Vodafone Albania, z. Achilleas Kanaris tha se vendet e vogla si Shqipëria kanë mundësinë të ecin përpara shumë më shpejt se të tjerat, por mbeten ende disa kushte për t’u plotësuar.

“Tashmë ne po përqendrohemi jo vetëm tek teknologjia, por shumë edhe tek vetë procesi dhe rregullimi i tij. Gjërat që e pengojnë Shqipërinë që të shndërrohet në një shoqëri të vërtetë digjitale, gjë për të cilën ne si kompani po punojmë fort, janë procesi dhe legjislacioni, pra rregullimi i kësaj çështjeje”, tha z. Kanaris.

Ekspertët theksojnë se nevoja e digjitalizimit është e pranishme në të gjitha aspektet jetësore dhe për të gjitha kompanitë, si ato tradicionale dhe ato inovatore.

Dy sfidat kryesore që shtrohen përpara Shqipërisë mbeten ndërgjegjësimi për digjitalizimin dhe harmonizimi i legjislacionit me atë të BE, sfida që nëse kapërcehen do të sillnin përfitime të konsiderueshme për sektorë thelbësore në vend si bujqësia dhe turizmi.

“Mendoj që ne duhet të ulemi në tryezë, jo vetëm qeveria por edhe sektori privat dhe të ripërkufizojmë strategjinë e vendit, pra ku dëshirojmë ta shikojmë Shqipërinë pas 15 vjetësh? Çfarë është unike për Shqipërinë? Çfarë duhet të promovojmë për Shqipërinë dhe më pas të zgjedhim dy apo tre sektorë dhe ta thellojmë dixhitalizimin në këto sektorë. Për mua kjo është e vetmja mënyrë e qëndrueshme e rifillimit të ekonomisë”- u shpreh z. Achilleas Kanaris duke vlerësuar se Shqipëria ka shumë potenciale për të ecur përpara.