Ilva Now

Deklarata e Thaçit për aktakuzën, analistët: Kosova ndodhet nën trysni

Përditësimi i fundit: 29/06/2020 - 21:15
Text size Aa Aa

Analistët dhe politologët shprehen se deklarata e Presidentit, Hashim Thaçi për të dhënë dorëheqjen nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet është e pranueshme. Shkodran Ramadani, politolog, tha se aktakuza kishte shkelje procedurale dhe synimi kryesor ishte pengimi i dialogut.

“Deklarata kishte shkelje procedurale dhe është e ndikuar politikisht. Qëndrimi i Thaçit është i pranueshëm, pasi bëri një zotim për dorëheqje në mënyrë që të mos penalizojë institucionin që ai mban. Në Kosovë flitet se Gjykata Speciale është miratuar nga Parlamenti, por në fakt Kosova është përballur me trysni ndërkombëtare”, tha ai.

Ndërsa, Adri Nurellari, këshilltar politik i kreut të PDK-së Kadri Veseli, e cilësoi qëndrimin e Hashim Thaçi si të një burri shteti. “Ishte një fjalim i denjë për një burrë shteti dhe konfirmon atë që të gjithë shqiptarët besojnë se lufta për çlirimin e Kosovës ka qenë një luftë e drejtë dhe e pastër. Ishte e denjë si burrë shteti se do të japë dorëheqjen nëse aktakuza konfirmohet”, Nurellari.

Duke e konsideruar Thaçin një ndër themeluesit e shtetit të Kosovës dhe një prej drejtuesve kryesorë të UÇK-së dhe për këtë arsye aktakuza është një goditje për luftën e Kosovës dhe jo Thaçin si individ. “Me këto fjalë edhe qetësoi dha një mesazh solidaritet dhe konfirmoi se nuk ka asnjë arsye për t’u ndjerë i kërcënuar pasi është i bindur për pastërtinë e luftës, gjë e cila është konfirmuar nga tre gjykata ndërkombëtare. Nuk është një sulm personal që i bëhet atij, por UÇK-së që synon të dëmtojë reputacionin e saj në arenën ndërkombëtare”, tha Nurellari.

Ndërsa Milazim Krasniqi, gazetar thotë se, deklarata e Thaçit është “korrekte dhe në pajtim me prestigjin e postit që mban”. Sipas tij Kosova është e ekspozuar ndaj formave të izolimit ndërkombëtar dhe presioneve dhe kjo që po ndodh është maja e një projekti anti-Kosovë dhe antishqiptare. Ndërsa si faktor negativ cilësoi afrimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. “Edi Rama ka bërë gabime, afërsia e madhe e tij me Vuçiç është faturuar në dëm të Kosovës. Ideja e minishengenit e kthente Kosovën në një dele të zezë”, tha z. Krasniqi.

Duke iu referuar zhvillimeve të 20 viteve të fundit në Kosovë dhe veprimet të faktorit ndërkombëtar, ai tha se, është synuar dështimi si shtet. Gjithashtu sipas tij, Kosova ka gabuar duke mos ngritur padi ndaj Serbisë.

“Në mënyrë të programuar është punuar që Kosova të dështojë si shtet, këtu faj ka edhe elita jonë politike e cila është treguar naive e cila ka besuar tek ato që janë thënë dhe nuk ka para ato që janë bërë. Tani kemi ardhur në pikën kritike ku po synohet retushimi i historisë. Gabimi i Kosovës është se nuk ka bërë me kohë padi për gjenocid ndaj Serbisë”, përfundoi Milazim Krasniqi.