Ilva Now

Gazment Bardhi: Sondazhet e nxjerrin PD me më shumë vota se sa PS

Përditësimi i fundit: 29/06/2020 - 20:15
Text size Aa Aa

Gazment Bardhi, sekretari i Përgjithshëm i PD-së duke folur për ndryshimet statutore për kandidatët për deputetë dhe kryetar bashkie, tha se do të jenë anëtarët e partisë që do të përzgjedhin emrat. Ai tha, se procesi do të jetë i hapur, transparent dhe do të bazohet mbi meritë. Faza përzgjedhëse u shpreh z. Bardhi do të përmbyllet më 30 shtator.

“Do të ketë propozime nga anëtar, seleksionim nga komisioni vlerësimi me 5 anëtar që ende nuk është formatuar. Ka pasur kontakte me disa themelues të PD, mes të cilëve dhe Genc Ruli për të qenë pjesë e këtij komisioni pasi do të përbëhet nga individë që nuk kanë ambicie personale. Më pas do të ketë vendimmarrje nga ana e Kryesisë dhe më pas lista do të miratohet nga Këshilli Kombëtar”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PD.

Z. Bardhi tha më tej se, do të aplikohet e drejta që njeh ligji për të kërkuar verifikim të thelluar për secilin kandit të përfshirë në këtë proces nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për të shmangur kandiatët që bien ndesh me ligjin e dekriminalizimit. Ai bëri të ditur se në garë nuk do të jenë të përfshirë drejtuesit kryesorë të PD, përfshirë dhe ish-kryeministrat e PD-së.

Për diskutimet mbi ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, ai tha se, kjo mbetet qëllim strategjik i kryeministrit Edi Rama pasi ka mbetur parti pa aleatë dhe për këtë qëllim po keqpërdor disa deputetë që sipas tij janë aksidentalisht në Parlament për të provokuar opozitën. Për ndryshimin e mundshëm të sistemit zgjedhor, ai tha se do të duhet të mbahet referendum.

Gjatë intervistës në “Ilva Now”, z. Bardhi foli dhe për sondazhet, ku sipas tij PD del parti me mbështetje më të madhe se sa PS.

“PD në këtë moment sipas sondazheve është mbi PS, por kjo nuk ka të bëjmë e PD apo PS. Koalicionet janë aktualisht në ligji dhe do të duhet dakordësi mes palëve për të pasur një ndryshim të rregullave të lojës. Opozita ka marrëveshje për të hyrë bashkë në zgjedhje”, tha ai.

Për përfshirjen e emrave të aleatëve në listën e kandidatëve të PD-së për zgjedhjet e ardhshme siç ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara, ai tha se kjo çështje mbetet ende për t’u diskutuar. Ai iu referua specifikisht rastit të Agron Dukës që drejton Partinë Agrare Ambientaliste, i cili ka shprehur vullnetin për të garuar në listën e partisë së tij.

“Do të diskutohet në momentin e duhur. Disa nga kryetarët e partive aleate nuk dëshirojnë që të jenë në listë. Z. Duka dëshiron të kandidojë si kandidat i partisë së tij. Ndoshta kjo është dhe një zgjidhje për aleatë të tjerë”, u shpreh z. Bardhi.