Ilva Now

Pandemia e COVID-19, Bino dhe Alimehmeti: Jemi të shqetësuar, sfidë mbetet ulja e numrave

Përditësimi i fundit: 29/06/2020 - 19:48
Text size Aa Aa

Shtimi i rasteve me COVID-19 në Shqipëri kanë shkaktuar shqetësime të reja tek qytetarët.  Drejtorja e Departamenti të Sëmundjeve të Brendshme në ISHP, Silva Bino tha në “Ilva Now” se rastet e reja janë shqetësuese, ndërkohë shtoi se qëllimi kryesor është mbajtja e situatës nën kontroll.

 Ajo u shpreh se frenimi i përhapjes së mëtejshme të infeksionit mund të bëhet vetëm nga gjurmimi dhe izolimi i kontakteve, ndryshe shtoi se çdo tentativë dhe përpjekje do jetë e kotë.

 “Jemi të shqetësuar me shifrat e larta dhe po përpiqemi, ta mbajmë dhe të ulim këtë situatë. Këtu është qëllimi ynë. Sëmundja ka një periudhë inkubacioni dy javë. Duke parë këtë, parashikohet edhe ulja. Në lidhje me gjurmimin, ai ka qenë strategjia kryesore dhe gjurmimi i kontakteve. Ky është elementi kyç. Vetëm gjurmimi pa pasimin të izolimit nuk ka vlerë. Ekipet edhe mund të jenë të lodhur, por kemi një strategji, e cila është zëvendësimi i ekipeve. Ka dhe një plan B dhe C, ku numri i tyre duhet të rritet apo duhet të zëvendësohet me të tjerë. Mbetet një sfidë izolimi”, tha ajo.

Për epidemiologun e njohur, Ilir Alimehmeti, shifrat e reja me COVID-19 kanë qetë të pritshme, sidomos pas rihapjes së aktiviteteve. Ai u shpreh se autoritetet shëndetësore duhet të rrisin numrin e testimeve, me qëllim evidentimin e rasteve dhe izolimin e tyre.

“Shifrat janë të pritshme në thonjëza, kjo nga lirimi i masave dhe shtimi i testeve. Nëse ke kontakt, duhet të izolohesh, por jo të gjithë i ndjekin masat, por duhet që qytetarët të informohem vazhdimisht. Ka një lloj çlirimi, ku dëgjoj disa diskutime se "virusi nuk ekziston", t’i hedhin poshtë këto diskutime pasi virusi është mes nesh. Testet duhen shtuar dhe kjo është nevojë absolute”, tha ai.

Sa i takon testimeve masive, znj. Bino tha se Shqipëria nuk mund të kryejë teste të përgjithshme. Drejtorja e lajmeve në Euronews Albania, Ilva Tare, pyeti specialisten e ISHP-së për vatrat e infeksioneve në QSUT, ndërkohë Bino u shpreh se në këtë institucion ka pasur dy vatra aktive.

 “Ne do të testojmë aq sa na kërkojnë qytetarët dhe ne nuk mund të bëjmë testim të përgjithshëm. Ne kemi testuar edhe persona pa shenja klinike. Ne i kemi testuar ata që paraqesin shenja klinike. Ne kemi dyfishuar testet. Kohët e fundit ka shumë pak infektime në QSUT, aty ka pasur dy vatra në QSUT, të cilat kanë bërë që të rritet numri i infeksioneve në lidhje me QSUT, kjo ka pasur lidhje me thyerjen e masave të kontrollit të infeksionit”, shtoi ajo.

Mes tjerash, dy ekspertët u shprehën se deri tani plazhet e vendit nuk kanë qenë shqetësues për përhapje të COVID-19, por gjithsesi apeluan që qytetarët të tregojnë kujdes,

“Me sa vërej unë, është që plazhet ende nuk janë një vatër e nxehtë, kjo nuk do të thotë që nuk ndodh nesër”, tha Alimehmeti.

“Duhet që njerëzit të jenë të kujdesshëm. Grumbullimet shtojnë mundësinë e infektimit. Për momentin plazhi nuk është shqetësues”, tha Bino.