Ilva Now

Zgjedhjet në SHBA, Isa Mustafa: S'pres që Serbia të na njohë brenda këtij viti

Përditësimi i fundit: 16/09/2020 - 20:46
Text size Aa Aa

Për marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, Isa Mustafa thotë se Kosova nuk ka humbur ndërsa për njohjen e pavarësisë nga Serbia thekson se, kjo nuk mund të ndodhë pa përkrahjen e SHBA.

“Po njohja do të ndodhë, po njohja nuk ndodh pa përkrahje të ShBA-së dhe po ashtu shumë njohje nga vendet e ndryshme të kontinenteve të ndryshme nuk kanë ndodhur pa involvimin e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Mustafa gjatë intervistës në Euronews Albania.

I pyetur se kur mund të arrihet njohja e shteti të Kosovës nga Serbia, ish-kryeministri thotë me siguri se kjo nuk do të përmbushet brenda këtij viti dhe e lidh çështjen dhe me zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Unë nuk pres që do të arrihet brenda këtij viti dhe pse me këtë pak ja prishi prognozat kryeministrit tonë, sepse është mjaft vështirë që i gjithë dialogu të përmbyllet për kaq muaj. Kemi parasysh edhe zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe neve nuk na konvenon që të ngutemi dhe të kërkojmë zgjidhje pa e pasur afër ose në tavolinë edhe delegacionin, përkatësisht përfaqësuesit e SHBA-së në këtë proces, të cilët që e filluam në fillim, na garantojnë implementimin e kësaj marrëveshje”, tha kreu i LDK-së.

Z. Mustafa thotë nga ana tjetër se kjo do të arrihet pa bërë ndryshim kufijsh. “Në qoftë se nuk arrihet, pastaj ne do të kemi problem sepse kjo flet që Serbia nuk është e interesuar që të na njohë edhe kjo flet që Serbia dëshiron të hapë tema të tjera por në nuk kemi llogari që më shumë të humbim kohën me këtë. Do të bëjmë përpjekjet maksimale që të gjejmë zgjidhjet. Në asnjë rast nuk do të kërkojmë dhe pranojmë zgjidhje e cila ndërlidhet me ndryshimet territoriale ose me shkëmbim të territorit ose me ndryshim të kufijve ose me organizim tjetër kushtetues të vendit sa i përket pushtetit të tretë”, shtoi ish-kryeministri i Kosovës.

Për njohjen e pavarësisë nga Izraeli dhe përfshirjen e kësaj çështjeje në një pikë të veçantë të marrëveshjes, z. Mustafa thotë se, kjo është një njohje e rëndësishme për Kosovën.

“Gjithmonë kemi kërkuar që të na pranojë Izraeli dhe kemi ofruar argumente se meritojmë njohjen e Izraelit si shtet. Prandaj për neve është me rëndësi që na ka njohur sepse është një shtet i veçantë jo vetëm për ne, por i veçantë edhe për politikat të cilat zhvillohen në këtë pjesë, edhe në Evropë dhe jashtë saj”, tha ai.

Sa i takon vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem pasi dy shtetet të kenë lidhur marrëdhëniet diplomatike, kreu i LDK-së tha se, nuk ka pasur ndonjë reagim të veçantë nga Brukseli.

“Në takimin e fundit që ka qenë kryeministri në Bruksel, s'kemi pas ndonjë reagim të veçantë të Brukselit lidhur me këtë. Ka pasur një reagim të zëdhënësit, por s'kemi pas reagime të veçanta lidhur me këtë. Tani, ne e dimë që nuk është çështje shumë e lehtë sepse ka të bëjë dhe me relacionet që kemi ne dhe me vendet e tjera islamike”, deklaroi z. Mustafa.

 

 Lexoni gjithashtu:

Zgjedhjet në SHBA, Mustafa: S'pres që Serbia të na njohë brenda këtij viti

Isa Mustafa: Marrëveshja e Uashingtonit sjell zhvillim për të gjithë rajonin

Isa Mustafa: Çështjen për asociacionin do t’ia dërgojmë Gjykatës Kushtetuese

Kreu i LDK: Ende kam dyshime për minishengen, asgjë personale me Ramën