Ilva Now

Epidemiologu Dritan Ulqinaku: Deri në fund të vitit, me rrezik hapja e mjediseve të mbyllura

Përditësimi i fundit: 21/09/2020 - 19:15
Text size Aa Aa

Duke analizuar situatën e pandemisë në rajon dhe Shqipëri, epidemiologu Dritan Ulqinaku tha në emisionin Ilva Now të gazetares Ilva Tare, se situata nuk premton shumë për të hapur aktivitetet ekonomike dhe shoqërore edhe në mjediset e mbyllura.

Ulqinaku tha se në tërësi situata e pandemisë nuk ishte më e frikshme sikurse u shfaq në fillim, pasi tashmë autoritetet kanë më tepër informacion dhe dinë më mirë se si të sillen. Por ai theksoi se frika e vetme mbetet mbingarkesa e sistemit shëndetësor, për këtë ai apeloi mbajtjen e maskave dhe respektimin e distancës fizike.

“Kemi kaluar goxha sfida, mund të them se mbase mund të ishim edhe më keq, por për hir të së vërtetës nuk jemi në ato shifra shumë të vështira, sepse, mosndërgjegjësimi në shumë vende që nuk mbajnë maska, hapja e shkollave, turistët e shtuar, ndikoi në rritjen e rasteve por jo në tejkalim të pritshmërisë. Nuk e shoh me frikë, e vetmja sfidë që do doja të kaloja ishte ditë me shi, që mbush njerëzit në mjedise të mbyllura dhe makina, kjo është e vetmja sfidë që nuk kemi kaluar për të qenë pak sa më të qetë,” – tha mjeku Ulqinaku.

I pyetur nëse do ishte e mundur hapja e mjediseve të brendshme për bizneset, epidemiologu tha se deri në fund të vitit “është e rrezikshme hapja e mjediseve të brendshme”.

“Në gjykimin tim, nëse do të ishte në dorën time, unë do thoja se deri në fund të vitit është e rrezikshme hapja e mjediseve të brendshme, kemi kaluar shumë sprova por kemi numër të lartë të infektuarish dhe personash që humbin jetën, por nuk mund ta shohim pa frikë hapjen e restoranteve apo aktiviteteve të tjera. Me shifrat që kemi në raport me popullsinë ende nuk jemi optimist kundrejt hapjeve të mëtejshme,” – shtoi më tej epidemiologu.

 

Lexoni gjithashtu:

Çfarë maskash po përdorin fëmijët tanimë që i janë rikthyer shkollës nën kushtet e pandemisë?

Dy viktima dhe 150 raste të tjera me COVID-19 në Shqipëri

Tregime të lidhura