Ilva Now

Çfarë duhet për negociatat? Gazetari i Ervin Koçi i Euronews Albania shpjegon në Ilva Now

Përditësimi i fundit: 23/09/2020 - 19:53
Text size Aa Aa

Gazetari Ervin Koçi në studion e “Ilva Now” komentoi krah gazetares Ilva Tare se çfarë ndodhi në mbledhjen e Këshillit të Integrimit ku dhe u analizuan të gjitha kushtet që Shqipëria ka nga Bashkimi Europian.

Koçi përmendi se sipas raportimit të ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, Gjykata Kushtetuese mund të bëhet funksionale në fund të këtij viti.

“Në rastin më të mirë të mundshëm nevojiten rreth tre muaj që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të përfundojë verifikimin për gjithë kandidatët dhe t’i përcjellë organeve të emërtesës emrat e kandidatëve për anëtar në Gjykatën Kushtetuese," - tha ai.

Sipas tij nëse ecet me ritme në favor të situatës, Gjykata e Lartë mund të bëhet funksionale të paktën në fillim të vitit që vjen. 

Sa i përket Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, gazetari i Euronews Albania sqaroi se SPAK është funksional për aq kohë sa ka 13 prokurorë nga 15 që duhen.

Sipas ministres Gjonaj deri në fund të këtij viti Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë tërësisht funksionale dhe do të jetë në mbështetje të SPAK-ut për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Një tjetër çështje e cila krijoi debat ishte dhe ligji i medias që, nisur nga ajo çfarë tha ministrja, ishte ende në fazën e konsultimit me ekspertë të Këshillit të Europës në mënyrë që drafti t’i ripërcillet sërish Kuvendit për shqyrtim.

Pyetur rreth çështjes së procedimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, gazetari Ervin Koçi komentoi se hetimet që kanë nisur për 10 subjektet janë raste reale. Ai u shpreh se bëhet fjalë për 10 dosje ‘të nxehta’ ku përfshihen ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe një ish-kryeprokuror.

E fundit çështje ishte dhe ajo e procedimit për të akuzuarit për blerje vote ku ministria u ndal vetëm te pikat ku ka vepruar SPAK-u deri tani, i cili ka kryer 20 procedime për 20 komisionerë zgjedhorë.

Nga pritshmëria e mbledhjes së sotme në Këshillin e Integrimit, Koçi tha se nëse plotësohen Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese mund të kemi një datë zyrtare për nisjen e bisedimeve.

“Është në dorë të institucioneve tashmë që të vijojnë punën me marsh të pestë nëse mund ta them në mënyrë figurative, që të fitohet koha e humbur të paktën këto 9 muaj të këtij viti," - përfundoi ai.

 

Lexoni gjithashtu:

Petrit Vasili: Rilindja synon të rrëmbejë rregullat zgjedhore pasi ka frikë nga humbja

Deklarata e fortë e avokatit Saimir Vishaj: 167 persona të larguar nga vetingu po pastrojnë paratë me zyra avokatie

Tregime të lidhura