Ilva Now

Jorida Tabaku: Premtimi i Ramës për pagë minimale 30 mijë lekë, kopje e programit të PD-së

Përditësimi i fundit: 23/09/2020 - 20:31
Text size Aa Aa

E ftuar në “Ilva Now” ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, e cilësoi propagandë të gënjeshtërt programin e punësimit të kryeministrit Edi Rama, me të cilin ai zotohet ta rrisë pagën minimale në 30 mijë lekë.

“E ka hapur thesin e premtimeve si kurrë më parë, sa më keq ndodhet, sa më keq ndodhet ekonomia, punësimi, aq më shumë gënjen dhe përpiqet që të kalojë situata. Të njëjtën fjali [për pagën minimale] e ka thënë në 2017-ën, e ka përsëritur në 2018-ën, por tha 37,500 lekë, ndërsa tani është kthyer te 30 mijë lekëshi. Çdo qeverisje gjykohet për atë që bën gjatë mandatit dhe këto aktet e fundit, me premtimet e fundit, kur janë në ikje nuk kanë vlerë sepse faktet kanë vlerë sepse ajo që ti ke bërë këto 7 vite kanë qenë kundër të gjitha vendimeve që po bën tani dhe janë kopje e keqe e programit që PD-ja ka lançuar, premtim i saj në vitin 2017, po të donte kishte mundësi ta bënte më parë, ndërkohë që tani si rezultat i taksave të larta, konsumit në rënie faturave të kripura të energjisë dhe kostos së jetesës, familjet shqiptare janë në kushte mbijetese,” - këmbënguli Tabaku.

Ish-deputetja demokrate tha se qeveria vazhdimisht ka mbështetur një grup njerëzish pranë tij në investimet publike, investimet strategjike, por edhe në fushën e punës.

Ajo këmbënguli se programi në fjalë është i PD-së, dhe nëse asaj do t’i jepet mundësia e qeverisjes në fund të mandatit të saj do ta dërgojë pagën minimale në 400 euro.

Tabaku pretendoi se në 7 vite qeveria ka ndërtuar vetëm 22 kilometra rrugë të reja. Ajo e cilësoi "thirrje dëshpëruese e një qeverie në ikje" çdo premtim që do të bëhet në periudhën e fundit të mandatit të saj.

“Qeveria ka punuar vetëm me prezantime 3D dhe me ekrane, ndërkohë që në terren qytetarët nuk kanë prekur asgjë, infrastruktura është fatura më e rëndë e Ramës,” – këmbënguli Tabaku e cila kujtoi programin e “Rilindjes Urbane” program i cili sipas saj ka shpenzuar buxhetin e investimeve pa krijuar zhvillim ekonomik. 

 

Lexoni gjithashtu:

Jorida Tabaku: Rama nuk e mbulon dot krizën e ekonomisë as me 10 ministra financash

Petrit Vasili: Rilindja synon të rrëmbejë rregullat zgjedhore pasi ka frikë nga humbja

Deklarata e fortë e avokatit Saimir Vishaj: 167 persona të larguar nga vetingu po pastrojnë paratë me zyra avokatie

Rama prezanton programet e reja të punësimit: Sfidë, vendosja e pagës minimale 30 mijë lekë

 

Tregime të lidhura