Ilva Now

Jorida Tabaku: Rama nuk e mbulon dot krizën e ekonomisë as me 10 ministra financash

Përditësimi i fundit: 23/09/2020 - 20:53
Text size Aa Aa

Qeveria pretendoi së fundmi se rreth 20-25 mijë vende pune u humbën nga ndikimi i pandemisë së COVID-19 në ekonomi, mirëpo në emisionin "Ilva Now" ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh mosbesuese për shifrat e raportuara dhe refuzoi ta konsiderojë këtë si menaxhim të mirë.

Ajo tha se nga kriza e pandemisë, në të vërtetë, u humbën rreth 100 mijë vende pune dhe sektorët kryesorë të prekur kanë qenë tregtia, turizmi dhe bujqësia.

“Unë përpiqem të mos besoj asgjë që thotë qeveria, sepse po të ishte për qeverinë janë hapur katër herë negociatat, i kemi festuar katër herë ato dhe hapjen e 300 mijë vendeve të punës,” – u shpreh me ironi Tabaku.

Ish-deputetja e PD-së tha se janë rreth 50 mijë persona të raportuar nga Instituti i Statistikave që janë nxjerrë nga sistemi i tatimeve dhe nuk paguajnë më sigurime.

“Duke pasur parasysh se ekonomia shqiptare është 40 për qind informale kjo shifër është dy herë më e lartë, pra 100 mijë të larguar nga puna dhe jo se e thotë opozita, por kështu e thonë shifrat, dhe ato janë kokëforte. Çfarëdo të thotë [Arben] Ahmetaj... dhe 10 ministra finance të vërë [Rama] po të dojë, nuk e mbulojnë dot krizën në të cilën ndodhet ekonomia dhe asnjë gënjeshtër nuk e mbulon realitetin,” – u shpreh Tabaku.

E pyetur se çfarë do të kishte bërë ndryshe PD-ja nëse do të kishte qenë në qeveri në këtë periudhë, Tabaku tha se “opozita bëri në mars disa propozime të cilat nuk u morën parasysh”.

“Nëse qeveria u zhduk, për tre javë, nga 9 marsi deri në fund të marsit nuk kemi parë asnjë zyrtar të qeverisë, përveç kryeministrit me lidhjet Live në Facebook, kryetari i PD-së ka bërë propozimin për paketën e parë ekonomike, sigurisht buxheti i shtetit ky është [i vogël], por ne bëmë propozime që për buxhete të ngjashme si Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të kishin impakt, këto angazhuan buxhete dy deri në tre herë më shumë. Ne kërkuam të mos kishte diskriminim, të gjitha bizneset e vogla të trajtoheshin njësoj sepse fakti tregon se të gjithë u prekën njësoj, kërkuam të nxitet konsumi, t’u jepeshin familjeve në nevojë likuiditet...,” – tha Tabaku duke këmbëngulur se paratë buxheti do t’i gjente nga ndërprerja apo pezullimi i kontratave koncesionare.

Ish-deptuetja e PD-së pretendoi se janë mbi 100 milionë euro koncesione që vazhdojnë të paguhen pavarësisht situatave.

“Me 20 milionë euro mund të ishin mbuluar një paketë, propozuam paketë për fasonët, dhe po ashtu për turizëm dhe bujqësi, por propozimet tona ranë në vesh të shurdhër,” – tha Tabaku.

Ajo denoncoi faktin se kompanitë e mëdha koncesionare aplikuan në mënyrë të palogjikshme për të marrë atë që u konsiderua si garancia sovrane.

“[Kompanitë koncesionare] kanë marrë kredi [me garanci sovrane], kanë marrë para nga buxheti i shtetit për të bërë punën që i paguan buxheti i shtetit dhe kjo është alogjike, është koncept që nuk duhet të ekzistojë as në vendet e botës së tretë,” – u shpreh Tabaku duke e kritikuar qeverinë se bëri çdo gjë gabim.

 

Lexoni gjithashtu:

Petrit Vasili: Rilindja synon të rrëmbejë rregullat zgjedhore pasi ka frikë nga humbja

Deklarata e fortë e avokatit Saimir Vishaj: 167 persona të larguar nga vetingu po pastrojnë paratë me zyra avokatie

Rama prezanton programet e reja të punësimit: Sfidë, vendosja e pagës minimale 30 mijë lekë

 

Tregime të lidhura